Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 6:1-24

Gjoni 6:1-24 AL1

Pas këtyre, Jezui shkoi në bregun tjetër të liqenit të Galilesë së Tiberiadës. Një turmë e madhe i shkonte pas, sepse shihnin shenjat që bënte për të sëmurët. Atëherë Jezui u ngjit në mal e atje u ul me dishepujt. Po afrohej Pashka, festa e judenjve. Kur hodhi sytë dhe pa se një turmë e madhe po shkonte drejt tij, Jezui i tha Filipit: «Ku mund të blejmë bukë që të hanë gjithë këta njerëz?». Këtë e tha për të vënë në provë Filipin, pasi ai vetë e dinte se çfarë do të bënte. Filipi iu përgjigj: «As dyqind denarë bukë nuk do të mjaftonin që të hante secili nga një copëz». Njëri prej dishepujve, Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, tha: «Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi e dy peshq, por çfarë janë këto për kaq njerëz?». Jezui tha: «U thoni njerëzve të ulen!». Në atë vend kishte shumë bar. Atëherë ata u ulën. Numri i tyre arrinte rreth pesë mijë burra. Pastaj Jezui mori bukën dhe, si falënderoi Perëndinë, ua ndau atyre që ishin ulur. U ndau edhe peshq, aq sa deshën. Kur u ngopën, Jezui u tha dishepujve: «Mblidhini copat që kanë tepruar, që të mos shkojë dëm asgjë». Kështu i mblodhën të gjitha dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat, që u kishin tepruar atyre, që kishin ngrënë prej pesë bukëve të elbit. Njerëzit, kur panë shenjën që bëri, thanë: «Ky është me të vërtetë profeti që duhet të vijë në botë!». Jezui, duke e ditur se kishin ndër mend të vinin ta merrnin me forcë për ta bërë mbret, u largua sërish për në mal fill i vetëm. Në muzg dishepujt zbritën në liqen, hipën në varkë e po shkonin drejt bregut tjetër të liqenit, për në Kafarnaum. Tashmë ishte errur, por Jezui nuk kishte mbërritur ende tek ata. Liqeni po trazohej nga era e fortë që frynte. Pasi kishin lundruar rreth tri a katër milje, panë Jezuin që po ecte mbi liqen duke iu afruar varkës e u frikësuan. Ai u tha: «Jam unë. Mos kini frikë!». Ata deshën ta merrnin në varkë, por menjëherë varka arriti në bregun ku po shkonin. Të nesërmen, turma që kishte qëndruar në bregun tjetër të liqenit, pa se atje nuk kishte veçse një varkë. Ata e dinin se Jezui nuk kishte hipur në varkë bashkë me dishepujt, porse dishepujt ishin nisur vetëm. Varka të tjera erdhën nga Tiberiada afër atij vendi ku kishin ngrënë bukën pasi Zoti kishte thënë lutjen e falënderimit. Njerëzit, kur panë se Jezui e dishepujt nuk ishin atje, hipën edhe ata nëpër varka e shkuan në Kafarnaum për ta kërkuar.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë