Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 6:1-15

Gjoni 6:1-15 AL1

Pas këtyre, Jezui shkoi në bregun tjetër të liqenit të Galilesë së Tiberiadës. Një turmë e madhe i shkonte pas, sepse shihnin shenjat që bënte për të sëmurët. Atëherë Jezui u ngjit në mal e atje u ul me dishepujt. Po afrohej Pashka, festa e judenjve. Kur hodhi sytë dhe pa se një turmë e madhe po shkonte drejt tij, Jezui i tha Filipit: «Ku mund të blejmë bukë që të hanë gjithë këta njerëz?». Këtë e tha për të vënë në provë Filipin, pasi ai vetë e dinte se çfarë do të bënte. Filipi iu përgjigj: «As dyqind denarë bukë nuk do të mjaftonin që të hante secili nga një copëz». Njëri prej dishepujve, Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, tha: «Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi e dy peshq, por çfarë janë këto për kaq njerëz?». Jezui tha: «U thoni njerëzve të ulen!». Në atë vend kishte shumë bar. Atëherë ata u ulën. Numri i tyre arrinte rreth pesë mijë burra. Pastaj Jezui mori bukën dhe, si falënderoi Perëndinë, ua ndau atyre që ishin ulur. U ndau edhe peshq, aq sa deshën. Kur u ngopën, Jezui u tha dishepujve: «Mblidhini copat që kanë tepruar, që të mos shkojë dëm asgjë». Kështu i mblodhën të gjitha dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat, që u kishin tepruar atyre, që kishin ngrënë prej pesë bukëve të elbit. Njerëzit, kur panë shenjën që bëri, thanë: «Ky është me të vërtetë profeti që duhet të vijë në botë!». Jezui, duke e ditur se kishin ndër mend të vinin ta merrnin me forcë për ta bërë mbret, u largua sërish për në mal fill i vetëm.