Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 5:25-47

Gjoni 5:25-47 AL1

Me të vërtetë po ju them se po vjen një kohë, e madje ajo ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që do ta dëgjojnë, do të jetojnë. Sikurse Ati është burimi i jetës, kështu e ka bërë edhe Birin të jetë burim jete dhe i ka dhënë të drejtën të gjykojë, sepse ai është Biri i njeriut. Mos u habitni për këtë, se po afron koha kur të gjithë të vdekurit do të dëgjojnë zërin e tij e do të dalin nga varret. Ata që kanë bërë të mirën do të ngjallen për të jetuar, ndërsa ata që bënë të keqen do të ngjallen për t'u gjykuar. Unë nuk mund të bëj asgjë nga vetja ime. Unë gjykoj sipas asaj që dëgjoj nga Ati im dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj të bëhet vullneti im, por vullneti i atij që më dërgoi». «Nëse unë dëshmoj për veten time, atëherë kjo dëshmi mund të mos ishte e vërtetë. Por dikush tjetër dëshmon për mua dhe unë e di se dëshmia e tij është e vërtetë. Ju dërguat njerëz te Gjoni e ai tha të vërtetën. Unë nuk kam nevojë për dëshminë e ndonjë njeriu, por i përmenda këto që të shpëtoheni. Gjoni ishte pishtari i ndezur që shndrit dhe juve ju pëlqeu të ngazëlleheshit për pak kohë në dritën e tij. Por dëshmia ime është më e madhe se ajo e Gjonit. Veprat që më dha Ati për të bërë, veprat që unë bëj, ato dëshmojnë për mua se Ati më ka dërguar. Dhe vetë Ati që më dërgoi ka dëshmuar për mua. Ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij e nuk e keni parë kurrë fytyrën e tij. Fjala e tij nuk qëndron në ju, se nuk i besoni atij që ai dërgoi. Ju shqyrtoni Shkrimet, sepse mendoni se në to gjeni jetën e amshuar e pikërisht ato dëshmojnë për mua. E megjithatë, nuk doni të vini tek unë që kështu të keni jetë. Unë nuk marr lavdi nga njerëzit. Ju njoh dhe e di se nuk keni në ju dashurinë e Perëndisë. Unë kam ardhur në emër të Atit tim e nuk më pranoni. Nëse dikush tjetër do të vinte në emër të vetes, atë do ta pranonit. Si mund të besoni ju që i thurni lavdi njëri-tjetrit e nuk kërkoni lavdinë prej të vetmit Perëndi? Mos mendoni se do t'ju padis unë tek Ati. Moisiu, tek i cili keni varur shpresën, ai do t'ju padisë. Sepse po t'i besonit Moisiut do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. Por nëse nuk u besoni atyre që ai shkroi, si do t'u besoni fjalëve të mia?».