Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 4:31-54

Gjoni 4:31-54 AL1

Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!». Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni». Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?». Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi e të përmbush veprën e tij. Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj e vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t'u korrur!”. Ai që korr merr shpërblimin e grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, edhe mbjellësi, edhe korrësi. Sepse është e vërtetë fjala “njëri mbjell e tjetri korr”. Unë ju dërgova të korrni atë për çka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan e ju gëzuat frytet e mundimit të tyre». Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë». Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë. Edhe më shumë njerëz besuan në të kur dëgjuan fjalët e tij. Ndërsa gruas i thoshin: «Tani nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, sepse e dëgjuam vetë dhe e dimë se ky është me të vërtetë shpëtimtari i botës!». Pas këtyre dy ditëve, Jezui iku prej andej e shkoi në Galile. Vetë ai kishte thënë se asnjë profet nuk nderohet në vendlindjen e tij, por kur mbërriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë gjithçka kishte bërë gjatë festës në Jerusalem, pasi edhe ata kishin qenë atje për festë. Jezui shkoi përsëri në Kanë të Galilesë, ku kishte kthyer ujin në verë. Një nëpunës mbretëror, që kishte të birin sëmurë në Kafarnaum, kur dëgjoi se Jezui kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi e i kërkoi të zbriste deri në Kafarnaum e t'i shëronte të birin që ishte duke vdekur. Atëherë Jezui i tha: «Ju nuk besoni nëse nuk shikoni shenja e mrekulli». Nëpunësi i tha: «Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija». Jezui i tha: «Shko në shtëpi! Yt bir do të jetojë». Ai u besoi fjalëve të Jezuit e shkoi. Duke zbritur për në shtëpi, shërbëtorët i dolën para e i thanë se djali i tij ishte mirë. Atëherë ai i pyeti për orën kur u bë më mirë djali e ata i thanë: «Dje, në orën një të drekës e lanë ethet». Atëherë i ati e kuptoi se ajo ishte ora kur Jezui i kishte thënë: «Yt bir do të jetojë». Kështu besoi ai vetë e të gjithë ata të shtëpisë së tij. Kjo ishte shenja e dytë që bëri Jezui kur u kthye nga Judeja në Galile.