Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 21:15-25

Gjoni 21:15-25 AL1

Kur mbaruan së ngrëni, Jezui i tha Simon Pjetrit: «Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta të tjerët?». Pjetri i tha: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti qengjat e mi!». Jezui i tha përsëri për herë të dytë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri iu përgjigj: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Ruaji delet e mia!». Jezui e pyeti për herë të tretë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri u trishtua që e pyeti për herë të tretë «A më do?», prandaj i tha: «Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti delet e mia! Me të vërtetë po të them se kur ishe i ri, e ngjishje rripin në brez e shkoje ku të doje, por kur të plakesh do të shtrish duart dhe dikush tjetër do të ta ngjeshë rripin e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje». Këtë e tha për të treguar se me ç'vdekje do të përlëvdonte Pjetri Perëndinë. Pastaj i tha: «Më ndiq!». Pjetri u kthye dhe pa se po i ndiqte edhe dishepulli që Jezui e donte, ai që ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezuit gjatë darkës dhe i kishte thënë: «Zot, kush është ai që po të tradhton?». Pjetri, kur e pa, i tha Jezuit: «Zot, po me të ç'do të bëhet?». Jezui i tha: «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet? Ti më ndiq!». Atëherë midis vëllezërve u përhap fjala se ai dishepull nuk do të vdiste, por Jezui nuk kishte thënë se ai nuk do të vdiste, por «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet?». Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që i shkroi ato. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. Ka edhe shumë gjëra të tjera që bëri Jezui që, po të shkruheshin një nga një, them se do të bëheshin aq libra sa as bota e tërë nuk do t'i nxinte.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë