Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 21:1-14

Gjoni 21:1-14 AL1

Më pas Jezui iu shfaq përsëri dishepujve pranë liqenit të Tiberiadës dhe iu shfaq kështu: Simon Pjetri, Thomai, që e quanin Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy dishepuj të tjerë ishin bashkë. Simon Pjetri u tha: «Po shkoj të peshkoj». Ata i thanë: «Po vijmë edhe ne me ty». Shkuan e hipën në varkë, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur kishte zbardhur tashmë, Jezui po qëndronte në breg, por dishepujt nuk e njohën që ishte ai. Atëherë Jezui u tha: «Djem, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata iu përgjigjën: «Jo». Ai u tha: «Hidhni rrjetën në të djathtë të varkës dhe do të kapni peshq». E hodhën rrjetën dhe nuk mund ta tërhiqnin nga numri i madh i peshqve. Dishepulli që Jezui e donte i tha Pjetrit: «Është Zoti». Kur dëgjoi se ishte Zoti, Simon Pjetri veshi rrobat, se ishte i zhveshur, e u hodh në liqen. Erdhën edhe dishepujt e tjerë me varkë duke tërhequr rrjetën e peshqve. Ata ishin rreth njëqind metra larg nga bregu. Kur dolën në tokë, panë një zjarr me prush mbi të cilin ishin vënë peshk e bukë. Jezui u tha: «Sillni nga peshqit që sapo zutë!». Simon Pjetri hipi në varkë dhe nxori në tokë rrjetën të mbushur plot me njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye. Jezui u tha: «Ejani të hani!». Asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: «Kush je ti?», sepse e dinin që ishte Zoti. Atëherë Jezui u afrua, mori bukën e ua dha. Po kështu bëri edhe me peshkun. Kjo ishte tashmë hera e tretë që Jezui u ishte shfaqur dishepujve pasi ishte ngjallur prej të vdekurve.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë