Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 18:13-28

Gjoni 18:13-28 AL1

dhe e çuan së pari te Hanahu, vjehrri i Kajafës. Kajafa ishte kryeprifti i atij viti. Kishte qenë ky që i kishte këshilluar judenjtë se ishte më mirë që një njeri të vdiste për popullin. Jezuin e ndoqën Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër. Dishepulli tjetër ishte një i njohur i kryepriftit, prandaj hyri bashkë me Jezuin në oborrin e pallatit të kryepriftit. Por Pjetri mbeti jashtë te porta. Atëherë dishepulli tjetër, i njohuri i kryepriftit, doli jashtë t'i fliste shërbëtores që ruante derën dhe e futi Pjetrin brenda. Shërbëtorja që ruante derën i tha Pjetrit: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e atij njeriu?». Ai tha: «Nuk jam». Shërbëtorët e rojat bënë një zjarr me qymyr dhe qëndronin rreth tij e ngroheshin, sepse bënte ftohtë. Edhe Pjetri rrinte me ta e ngrohej. Atëherë kryeprifti e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për mësimin e tij. Jezui u përgjigj: «Unë i kam folur hapur botës. Gjithmonë kam mësuar njerëzit nëpër sinagoga e në tempull ku mblidhen gjithë judenjtë e nuk kam folur kurrë fshehtas. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar fjalët që kam folur. Ata e dinë çfarë kam thënë». Kur Jezui tha këto fjalë, një nga rojat që ndodhej atje, i ra me shuplakë e i tha: «Kështu i përgjigjesh kryepriftit?». Jezui u përgjigj: «Nëse fola keq, më thuaj ku qëndron e keqja, por nëse fola mirë, përse më godet?». Atëherë Hanahu e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa. Ndërsa Simon Pjetri rrinte e ngrohej, ata i thanë: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?». Ai e mohoi e tha: «Nuk jam». Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij të cilit Pjetri i kishte prerë veshin, i tha: «A nuk të pashë në kopsht me të?». Pjetri e mohoi përsëri dhe atë çast këndoi gjeli. Pastaj Jezuin e çuan nga Kajafa në pretorium. Ishte mëngjes herët dhe judenjtë nuk hynë në pretorium që të mos ndyheshin e që të mund të hanin Pashkën.