Si tha këto, Jezui doli bashkë me dishepujt e shkoi përtej përroit të Kedronit. Atje ishte një kopsht ku ai hyri me dishepujt. Atë vend e njihte edhe Juda, ai që e tradhtoi, sepse Jezui mblidhej shpesh atje me dishepujt. Kështu, Juda shkoi te kopshti pasi kishte marrë me vete kohortën dhe disa roja, nga kryepriftërinjtë e farisenjtë, me fenerë, pishtarë dhe armë në duar. Jezui, duke ditur gjithçka që do t'i ndodhte, u doli para e u tha: «Kë kërkoni?». Ata iu përgjigjën: «Jezuin e Nazaretit». Ai u tha: «Unë jam». Me ta ishte edhe Juda, ai që e tradhtoi. Kur Jezui u tha: «Unë jam», ata u zmbrapsën e ranë përdhe. Atëherë Jezui i pyeti përsëri: «Kë kërkoni?». Ata i thanë: «Jezuin e Nazaretit». Jezui u përgjigj: «Ju thashë se unë jam. Nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë». Kështu u vërtetua fjala që kishte thënë: «Nuk humba asnjë nga ata që më ke dhënë».
Simon Pjetri kishte një shpatë. E nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. Atëherë Jezui i tha Pjetrit: «Fute shpatën në mill! Të mos e pi kupën e vuajtjeve që më dha Ati?».
Atëherë kohorta, kryemijësi dhe rojat e judenjve e kapën Jezuin, e lidhën dhe e çuan së pari te Hanahu, vjehrri i Kajafës. Kajafa ishte kryeprifti i atij viti. Kishte qenë ky që i kishte këshilluar judenjtë se ishte më mirë që një njeri të vdiste për popullin.
Jezuin e ndoqën Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër. Dishepulli tjetër ishte një i njohur i kryepriftit, prandaj hyri bashkë me Jezuin në oborrin e pallatit të kryepriftit. Por Pjetri mbeti jashtë te porta. Atëherë dishepulli tjetër, i njohuri i kryepriftit, doli jashtë t'i fliste shërbëtores që ruante derën dhe e futi Pjetrin brenda. Shërbëtorja që ruante derën i tha Pjetrit: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e atij njeriu?». Ai tha: «Nuk jam».
Shërbëtorët e rojat bënë një zjarr me qymyr dhe qëndronin rreth tij e ngroheshin, sepse bënte ftohtë. Edhe Pjetri rrinte me ta e ngrohej.
Atëherë kryeprifti e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për mësimin e tij. Jezui u përgjigj: «Unë i kam folur hapur botës. Gjithmonë kam mësuar njerëzit nëpër sinagoga e në tempull ku mblidhen gjithë judenjtë e nuk kam folur kurrë fshehtas. Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar fjalët që kam folur. Ata e dinë çfarë kam thënë». Kur Jezui tha këto fjalë, një nga rojat që ndodhej atje, i ra me shuplakë e i tha: «Kështu i përgjigjesh kryepriftit?». Jezui u përgjigj: «Nëse fola keq, më thuaj ku qëndron e keqja, por nëse fola mirë, përse më godet?». Atëherë Hanahu e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa.
Ndërsa Simon Pjetri rrinte e ngrohej, ata i thanë: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?». Ai e mohoi e tha: «Nuk jam». Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij të cilit Pjetri i kishte prerë veshin, i tha: «A nuk të pashë në kopsht me të?». Pjetri e mohoi përsëri dhe atë çast këndoi gjeli.