Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 13:10-27

Gjoni 13:10-27 AL1

Jezui i tha: «Kush është i larë, është krejt i pastër dhe nuk ka nevojë të lajë veçse këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë». Jezui e dinte kush do ta tradhtonte prandaj tha: «Ju nuk jeni të gjithë të pastër». Pasi u lau këmbët, Jezui veshi rrobat, u ul përsëri e u tha: «E kuptoni këtë që ju bëra? Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sepse jam. Nëse unë pra, Zoti dhe Mësuesi, ju lava këmbët, edhe ju duhet t'ia lani këmbët njëri-tjetrit. Ju dhashë shembullin që të bëni siç bëra unë. Me të vërtetë po ju them se asnjë shërbëtor nuk është më i madh se i zoti dhe asnjë i dërguar nuk është më i madh se ai që e ka dërguar. Nëse i keni kuptuar këto gjëra dhe nëse i zbatoni, do të jeni të lumë. Nuk po flas për të gjithë ju. Unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet Shkrimi: ai që ha bukë me mua ka ngritur thembrën kundër meje. Po jua them që tani, përpara se të ndodhë, që kur të ketë ndodhur të besoni se unë jam. Me të vërtetë po ju them se kush pranon atë që do të dërgoj unë, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi». Si tha këto, Jezui u trondit në shpirt e tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri prej jush do të më tradhtojë». Dishepujt filluan të shikonin njëri-tjetrin, se nuk e dinin për kë e kishte fjalën. Njëri prej dishepujve të tij, ai që Jezui e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezuit. Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë ta pyeste Jezuin për kë e kishte fjalën. Ai u përkul mbi kraharorin e Jezuit e i tha: «Zot, kush është?». Jezui u përgjigj: «Është ai të cilit do t'i jap kafshatën që do të ngjyej». Pasi e ngjeu kafshatën, ia dha Judës së Simon Iskariotit. Si mori kafshatën, tek ai hyri Satani. Atëherë Jezui i tha: «Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!».