Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 11:17-43

Gjoni 11:17-43 AL1

Kur erdhi Jezui, Lazari kishte katër ditë në varr. Betania ndodhej rreth tri kilometra larg Jerusalemit dhe shumë judenj kishin shkuar te Marta e Maria, që t'i ngushëllonin për vdekjen e vëllait. Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta shkoi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. Por e di se, edhe tani, Perëndia do të të japë gjithçka që do t'i kërkosh». Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngjallet». Marta i tha: «E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit». Jezui i tha: «Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes. Kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson këtë?». Ajo i tha: «Po, Zot. Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë». Pasi tha këto, ajo shkoi, thirri mënjanë Marinë, motrën e saj, e i tha: «Mësuesi është këtu e të kërkon». Maria, sapo e dëgjoi, u ngrit me nxitim e shkoi tek ai, sepse Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por po rrinte atje ku e kishte takuar Marta. Judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se ajo u ngrit me nxitim e doli, i shkuan pas duke menduar se po shkonte te varri për të qarë atje. Maria shkoi atje ku ishte Jezui dhe kur e pa, i ra ndër këmbë e i tha: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur». Jezui, kur e pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u prek në shpirt, u turbullua e tha: «Ku e keni vënë?». Ata i thanë: «Zot, eja e shih!». Jezui u përlot. Atëherë judenjtë thanë: «Shih sa e donte!». Por disa nga ata thoshin: «Ky që i hapi sytë të verbrit, a nuk mund të bënte që edhe Lazari të mos vdiste?». Jezui u prek përsëri në shpirt e shkoi te varri që ishte një shpellë me një gur në hyrje. Jezui tha: «Hiqeni gurin!». Marta, motra e të vdekurit, i tha: «Zot, ai qelbet tashmë, se ka katër ditë në varr». Jezui i tha: «A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?». Atëherë ata ngritën gurin, ndërsa Jezui ngriti sytë lart e tha: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjove. Unë e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën përreth, që të besojnë se ti më dërgove». Pasi tha këto, thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Gjoni 11:17-43