ZOTI më tregoi dy shporta me fiq, vendosur kundruall tempullit të ZOTIT, pasi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, kishte shpërngulur nga Jerusalemi Jehonjahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, princat e Judës, zejtarët e farkëtarët e Jerusalemit, dhe i kishte shpënë në Babiloni. Njëra shportë ishte me fiq shumë të mirë, siç janë fiqtë e parë, ndërsa shporta tjetër ishte plot me fiq të këqij, aq të këqij sa nuk haheshin dot. ZOTI më tha: «Çfarë sheh, Jeremi?». U përgjigja: «Fiq. Fiqtë e mirë janë shumë të mirë e fiqtë e këqij, shumë të këqij. Aq të këqij, sa nuk hahen dot».
Atëherë fjala e ZOTIT m'u drejtua e tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: sikurse këta fiq të mirë, ashtu do t'i vështroj me mirësi të shpërngulurit e Judës që i dërgova nga ky vend në vendin e kaldenjve. Do t'i ngul sytë e mi mbi ta për të mirën e tyre e do t'i kthej te kjo tokë. Do t'i ndërtoj e nuk do t'i shemb, do t'i mbjell e nuk do t'i shkul. Do t'u jap një zemër që të më njohin, se unë jam ZOTI. Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre, sepse do të kthehen tek unë me gjithë zemër.
Por, sikurse me këta fiq të këqij, aq të këqij sa nuk hahen dot, kështu thotë ZOTI, njësoj do të sillem me Sedekinë, mbretin e Judës, me princat e tij, me tepricën e Jerusalemit, që do të mbetet në vend dhe me ata që banojnë në dheun e Egjiptit. Do t'i bëj tmerr e kob për të gjitha mbretëritë e tokës, përçmim e përrallë, tallje e mallkim në të gjitha vendet ku do t'i dëboj. Do të dërgoj kundër tyre shpatën, urinë e murtajën, derisa t'i shuaj nga dheu që u dhashë atyre dhe etërve të tyre».