Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 8:1-21

Gjyqtarët 8:1-21 AL1

Burrat e Efraimit i thanë Gideonit: «Ç'na bëre! Përse nuk na thirre edhe ne kur shkove për të luftuar kundër midianitëve?». Dhe u grindën keq me të. Ai u tha: «E ç'paskam bërë unë në krahasim me ju? A nuk është qëmtimi i Efraimit më i mirë se vjelja e Abiezerit? Perëndia jua dorëzoi juve Orebin dhe Zebin, princat e Midianit. E ç'bëra unë në krahasim me ju?». Kur u tha këto fjalë, zemërimi i tyre ndaj tij u fashit. Gideoni mbërriti në Jordan dhe bashkë me treqind burrat që ishin me të, kaloi në bregun tjetër. Megjithëse të lodhur, ata vazhduan të ndiqnin armikun. Atëherë ai u tha banorëve të Sukotit: «Ju lutem, jepuni bukë burrave që më shoqërojnë, se janë këputur nga lodhja. Unë po ndjek Zebahun dhe Calmunaun, mbretërit e Midianit». Krerët e Sukotit iu përgjigjën: «Mos e ke shtënë gjë në dorë Zebahun dhe Calmunaun, që t'i japim bukë ushtrisë tënde?». Gideoni u tha: «Për këtë që thatë, kur ZOTI të m'i ketë dorëzuar Zebahun dhe Calmunaun, do t'jua bëj copë mishin me murrizat dhe ferrat e shkretëtirës». Prej aty, Gideoni u ngjit në Penuel dhe u kërkoi të njëjtën gjë, por edhe banorët e Penuelit iu përgjigjën si banorët e Sukotit. Atëherë Gideoni u tha edhe banorëve të Penuelit: «Kur të jem kthyer shëndoshë e mirë, do ta rrënoj këtë kullë». Ndërkohë Zebahu dhe Calmunau ishin në Karkor me mbarë ushtrinë e tyre. Nga gjithë ushtria e popujve të lindjes kishin mbetur rreth pesëmbëdhjetë mijë burra, ndërsa njëqind e njëzet mijë luftëtarë kishin rënë në luftë. Gideoni u ngjit udhës së endacakëve që banonin nëpër tenda, në lindje të Nobahut dhe Jogbehahut, dhe sulmoi fushimin e armikut, ndonëse fushimi ishte i mbrojtur mirë. Zebahu dhe Calmunau morën arratinë, por Gideoni i ndoqi pas. I kapi që të dy mbretërit e Midianit, Zebahun e Calmunaun, dhe e shpartalloi mbarë ushtrinë e tyre. Kur Gideoni, biri i Joashit, po kthehej nga lufta nëpër të përpjetën e Heresit, kapi një djalosh nga Sukoti dhe e mori në pyetje. Djaloshi i dha me shkrim emrat e krerëve dhe të pleqve të Sukotit, gjithsej shtatëdhjetë e shtatë burra. Gideoni shkoi te banorët e Sukotit e u tha: «Ja ku i keni Zebahun e Calmunaun, për të cilët u tallët me mua kur më thatë: “Mos e ke shtënë gjë në dorë Zebahun e Calmunaun, që t'i japim bukë ushtrisë sate?”». Pastaj i mori pleqtë e qytetit dhe u dha një mësim të mirë burrave të Sukotit, duke i torturuar pleqtë me murrizat dhe me ferrat e shkretëtirës. Ai rrënoi edhe kullën e Penuelit dhe banorët e qytetit i vrau. Gideoni i tha Zebahut dhe Calmunaut: «Si ishin burrat që vratë në Tabor?». Ata i thanë: «Ishin si ti. Secili prej tyre kishte pamjen e një biri mbreti». Gideoni u tha: «Ata ishin vëllezërit e mi, bijtë e nënës sime. Për ZOTIN, po t'i kishit lënë gjallë, nuk do t'ju vrisja». Pastaj i tha Jetrit, djalit të tij të madh: «Ngrihu e vriti!». Por Jetri nuk e nxori shpatën, se kishte frikë, ngaqë ishte ende i vogël. Atëherë Zebahu dhe Calmunau i thanë Gideonit: «Ngrihu ti vetë e na godit, sepse i takon një burri të fortë ta bëjë». Gideoni u ngrit, e vrau Zebahun dhe Calmunaun dhe mori varëset që mbanin devetë e tyre në qafë.