Kur izraelitët mbillnin arat, vinin midianitët, amalekitët e popuj të tjerë të lindjes, ngrinin fushimin në tokat e tyre dhe i shkatërronin të gjitha prodhimet bujqësore deri në hyrje të Gazës, duke i lënë izraelitët pa ushqim, pa dele, pa lopë e pa gomarë. Vinin me gjithë bagëti dhe kishin aq shumë tenda, sa ngjanin me karkaleca. Ishin aq të shumtë dhe kishin aq shumë deve, sa nuk i numëroje dot. E zinin tokën dhe e shkatërronin. Izraeli ra në mjerim të thellë për shkak të midianitëve, prandaj izraelitët thirrën në ndihmë ZOTIN.
Izraelitët thirrën në ndihmë ZOTIN për shkak të midianitëve dhe ZOTI u dërgoi një profet, i cili u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë. Ju çlirova nga dora e egjiptianëve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin. I dëbova para jush dhe ju dhashë tokën e tyre. Ju thashë se unë jam ZOTI, Perëndia juaj dhe të mos i druani perënditë e amoritëve, në tokën e të cilëve banoni, por ju nuk më dëgjuat”».
Engjëlli i ZOTIT erdhi në Ofrah dhe u ul nën lisin e Joashit që ishte nga klani i Abiezerit. Gideoni, biri i Joashit, po pastronte grurin dhe po e fshihte në tork, për ta shpëtuar nga midianitët. Atëherë engjëlli i ZOTIT iu shfaq e i tha: «ZOTI qoftë me ty, o luftëtar trim!». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, imzot, por nëse ZOTI është me ne, përse na ndodhën të gjitha këto? Ku janë gjithë ato mrekulli, për të cilat na kanë folur etërit tanë, kur na thoshin se ZOTI na ka nxjerrë nga Egjipti? E, pra, tani ZOTI na ka braktisur e na ka dorëzuar te midianitët». Atëherë ZOTI u kthye nga ai e i tha: «I fortë siç je, shko e çliroje Izraelin nga zgjedha e midianitëve. Po të dërgoj unë». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, Zoti im, por si do ta çliruakam unë Izraelin? Familja ime është familja më e dobët e Manaseut dhe unë jam më i vogli i shtëpisë së tim eti». ZOTI i tha: «Do të jem unë me ty. Ke për t'i mposhtur midianitët si të ishin një njeri i vetëm».