Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 6:11-27

Gjyqtarët 6:11-27 AL1

Engjëlli i ZOTIT erdhi në Ofrah dhe u ul nën lisin e Joashit që ishte nga klani i Abiezerit. Gideoni, biri i Joashit, po pastronte grurin dhe po e fshihte në tork, për ta shpëtuar nga midianitët. Atëherë engjëlli i ZOTIT iu shfaq e i tha: «ZOTI qoftë me ty, o luftëtar trim!». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, imzot, por nëse ZOTI është me ne, përse na ndodhën të gjitha këto? Ku janë gjithë ato mrekulli, për të cilat na kanë folur etërit tanë, kur na thoshin se ZOTI na ka nxjerrë nga Egjipti? E, pra, tani ZOTI na ka braktisur e na ka dorëzuar te midianitët». Atëherë ZOTI u kthye nga ai e i tha: «I fortë siç je, shko e çliroje Izraelin nga zgjedha e midianitëve. Po të dërgoj unë». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, Zoti im, por si do ta çliruakam unë Izraelin? Familja ime është familja më e dobët e Manaseut dhe unë jam më i vogli i shtëpisë së tim eti». ZOTI i tha: «Do të jem unë me ty. Ke për t'i mposhtur midianitët si të ishin një njeri i vetëm». Atëherë Gideoni i tha: «Nëse kam gjetur hir para teje, më jep një shenjë se je ti që po flet me mua. Mos u largo prej këndej derisa të kthehem e të të vë përpara një fli kushtimi». Ai i tha: «Po të pres derisa të kthehesh». Gideoni shkoi e përgatiti një kec e disa kuleç të ndormë me tridhjetë kilogramë miell. Mishin e vuri në një shportë, ndërsa lëngun e mishit në një poçe balte dhe ia solli e ia shtroi përpara nën lis. Atëherë engjëlli i Perëndisë i tha: «Merre mishin dhe kuleçtë e ndormë, vëri mbi atë shkëmb e derdh mbi ta lëngun e mishit». Gideoni bëri si i tha. Pastaj engjëlli i ZOTIT shtriu shkopin që mbante në dorë dhe me majën e tij preku mishin dhe kuleçtë e ndormë. Nga shkëmbi doli zjarr, që e përpiu mishin me gjithë kuleçtë e ndormë. Atëherë engjëlli i ZOTIT u zhduk nga sytë e Gideonit. Gideoni kuptoi se kishte qenë engjëlli i ZOTIT e tha: «Mjerë unë, o ZOT, Zoti im! Pashë engjëllin e ZOTIT ballë për ballë». ZOTI i tha: «Paqja qoftë me ty! Mos ki frikë, s'ke për të vdekur». Gideoni ndërtoi atje një altar për ZOTIN dhe e quajti «Zoti është paqe». Ky altar gjendet edhe sot e kësaj dite në Ofrah të abiezeritëve. Po atë natë, ZOTI i tha: «Merr demin e tyt eti dhe një dem tjetër shtatë vjeçar. Shkatërro altarin e Baalit që ka ngritur yt atë dhe copëtoje shtyllën e Asherasë që është pranë altarit. Pastaj, po në majë të atij shkëmbi, ndërto një altar për ZOTIN, Perëndinë tënd. Merr mandej demin e dytë dhe kushtoje si fli shkrumbimi me drutë e shtyllës së Asherasë që do të kesh copëtuar». Gideoni mori dhjetë nga shërbëtorët e tij e bëri siç i tha ZOTI. Nga frika e familjes së tij dhe e banorëve të qytetit, nuk e bëri ditën, por natën.