Asokohe gjyqtare në Izrael ishte një profeteshë, Debora, gruaja e Lapidotit. Ajo rrinte nën një palmë, që njihej si palma e Deborës dhe ndodhej midis Ramahut dhe Betelit, në malësinë e Efraimit. Izraelitët shkonin tek ajo për të kërkuar gjykimin e saj. Ajo dërgoi të thërrasin Barakun, birin e Abinoamit, nga Kedeshi i Neftaliut, e i tha: «Kështu të urdhëron ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Marsho drejt malit Tabor e merr me vete dhjetë mijë burra nga fisit i Neftaliut dhe nga fisi i Zabulonit. Do ta bëj Siserin, komandantin e ushtrisë së Jabinit, të vijë te ti në përroin e Kishonit, bashkë me qerret dhe trupat e tij, dhe do të ta dorëzoj”». Baraku iu përgjigj: «Do të shkoj po të vish edhe ti me mua. Po nuk erdhe ti, nuk kam për të shkuar». Debora i tha: «Do të vij me ty, por nderi për sulmin nuk do të të mbetet ty, sepse ZOTI do ta dorëzojë Siserin në duart e një gruaje». Debora u ngrit e shkoi me Barakun në Kedesh. Baraku thirri fisin e Zabulonit dhe të Neftaliut në Kedesh e u nis me dhjetë mijë luftëtarë. Me ta shkoi edhe Debora.
Pranë Kedeshit jetonte Heber Keniti. Ai ishte ndarë nga kenitët e tjerë, pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut, dhe e kishte ngritur tendën pranë Lisit të Cananimit.
Siserit i thanë se Baraku, biri i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor. Atëherë Siseri mblodhi të nëntëqind qerret që kishte e të gjithë ushtrinë dhe marshoi nga Haroshet Gojimi në përroin e Kishonit. Debora i tha Barakut: «Ngrihu, sepse sot ZOTI do të ta dorëzojë Siserin. Ja, vetë ZOTI po marshon para teje». Baraku zbriti prej malit Tabor në krye të dhjetë mijë burrave. Atëherë ZOTI e hutoi Siserin dhe e shpartalloi me shpatë ushtrinë dhe qerret e tij para syve të Barakut. Siseri zbriti nga qerrja dhe mori arratinë në këmbë. Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë e Siserit deri në Haroshet Gojim. E gjithë ushtria e Siserit u shfaros nga tehu i shpatës dhe nuk mbeti njeri gjallë.
Ndërkohë Siseri kishte mbërritur në këmbë te tenda e Jaelës, gruas së Heber Kenitit. Jabini, mbreti i Hacorit, ishte në paqe me shtëpinë e Heber Kenitit. Jaela doli për të takuar Siserin e i tha: «Eja, hyr brenda, imzot! Eja, hyr brenda e mos ki frikë!». Siseri hyri në tendën e Jaelës dhe ajo i hodhi sipër një mbulojë. Siseri i tha Jaelës: «Më jep pak ujë për të pirë, sepse kam etje». Ajo hapi calikun e qumështit dhe i dha për të pirë. Pastaj e mbuloi. Siseri i tha: «Qëndro te hyrja e tendës dhe po të të pyesë kush në ka njeri brenda, thuaji “jo”». Siserin e zuri një gjumë i thellë. Jaela, gruaja e Heberit, mori një kunj tende dhe një çekiç, u afrua pa bërë zë dhe ia nguli kunjin në tëmth. Kunji u ngul deri në tokë dhe Siseri vdiq. Atë çast mbërriti Baraku, që ishte vënë në ndjekje të Siserit. Jaela doli për ta takuar e i tha: «Eja të të tregoj njeriun që kërkon». Baraku hyri në tendë dhe pa Siserin tek dergjej i vdekur me kunjin të ngulur në tëmth.
Atë ditë Perëndia e poshtëroi Jabinin, mbretin e Kanaanit, para izraelitëve. Izraelitët u bënë gjithnjë e më të fortë përballë Jabinit, mbretit të Kanaanit, derisa e shkatërruan plotësisht.