Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 4:1-16

Gjyqtarët 4:1-16 AL1

Pas vdekjes së Ehudit, izraelitët filluan të bënin sërish ligësi në sytë e ZOTIT. Atëherë ZOTI i dorëzoi te Jabini, mbreti i Kanaanit, që sundonte në Hacor. Komandant i ushtrisë së tij ishte Siseri. Ai banonte në Haroshet Gojim. Izraelitët thirrën në ndihmë ZOTIN, sepse Jabini zotëronte nëntëqind qerre hekuri dhe kishte njëzet vjet që i mbante shtypur me dhunë izraelitët. Asokohe gjyqtare në Izrael ishte një profeteshë, Debora, gruaja e Lapidotit. Ajo rrinte nën një palmë, që njihej si palma e Deborës dhe ndodhej midis Ramahut dhe Betelit, në malësinë e Efraimit. Izraelitët shkonin tek ajo për të kërkuar gjykimin e saj. Ajo dërgoi të thërrasin Barakun, birin e Abinoamit, nga Kedeshi i Neftaliut, e i tha: «Kështu të urdhëron ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Marsho drejt malit Tabor e merr me vete dhjetë mijë burra nga fisit i Neftaliut dhe nga fisi i Zabulonit. Do ta bëj Siserin, komandantin e ushtrisë së Jabinit, të vijë te ti në përroin e Kishonit, bashkë me qerret dhe trupat e tij, dhe do të ta dorëzoj”». Baraku iu përgjigj: «Do të shkoj po të vish edhe ti me mua. Po nuk erdhe ti, nuk kam për të shkuar». Debora i tha: «Do të vij me ty, por nderi për sulmin nuk do të të mbetet ty, sepse ZOTI do ta dorëzojë Siserin në duart e një gruaje». Debora u ngrit e shkoi me Barakun në Kedesh. Baraku thirri fisin e Zabulonit dhe të Neftaliut në Kedesh e u nis me dhjetë mijë luftëtarë. Me ta shkoi edhe Debora. Pranë Kedeshit jetonte Heber Keniti. Ai ishte ndarë nga kenitët e tjerë, pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut, dhe e kishte ngritur tendën pranë Lisit të Cananimit. Siserit i thanë se Baraku, biri i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor. Atëherë Siseri mblodhi të nëntëqind qerret që kishte e të gjithë ushtrinë dhe marshoi nga Haroshet Gojimi në përroin e Kishonit. Debora i tha Barakut: «Ngrihu, sepse sot ZOTI do të ta dorëzojë Siserin. Ja, vetë ZOTI po marshon para teje». Baraku zbriti prej malit Tabor në krye të dhjetë mijë burrave. Atëherë ZOTI e hutoi Siserin dhe e shpartalloi me shpatë ushtrinë dhe qerret e tij para syve të Barakut. Siseri zbriti nga qerrja dhe mori arratinë në këmbë. Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë e Siserit deri në Haroshet Gojim. E gjithë ushtria e Siserit u shfaros nga tehu i shpatës dhe nuk mbeti njeri gjallë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë