Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 4:1-10

Gjyqtarët 4:1-10 AL1

Pas vdekjes së Ehudit, izraelitët filluan të bënin sërish ligësi në sytë e ZOTIT. Atëherë ZOTI i dorëzoi te Jabini, mbreti i Kanaanit, që sundonte në Hacor. Komandant i ushtrisë së tij ishte Siseri. Ai banonte në Haroshet Gojim. Izraelitët thirrën në ndihmë ZOTIN, sepse Jabini zotëronte nëntëqind qerre hekuri dhe kishte njëzet vjet që i mbante shtypur me dhunë izraelitët. Asokohe gjyqtare në Izrael ishte një profeteshë, Debora, gruaja e Lapidotit. Ajo rrinte nën një palmë, që njihej si palma e Deborës dhe ndodhej midis Ramahut dhe Betelit, në malësinë e Efraimit. Izraelitët shkonin tek ajo për të kërkuar gjykimin e saj. Ajo dërgoi të thërrasin Barakun, birin e Abinoamit, nga Kedeshi i Neftaliut, e i tha: «Kështu të urdhëron ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Marsho drejt malit Tabor e merr me vete dhjetë mijë burra nga fisit i Neftaliut dhe nga fisi i Zabulonit. Do ta bëj Siserin, komandantin e ushtrisë së Jabinit, të vijë te ti në përroin e Kishonit, bashkë me qerret dhe trupat e tij, dhe do të ta dorëzoj”». Baraku iu përgjigj: «Do të shkoj po të vish edhe ti me mua. Po nuk erdhe ti, nuk kam për të shkuar». Debora i tha: «Do të vij me ty, por nderi për sulmin nuk do të të mbetet ty, sepse ZOTI do ta dorëzojë Siserin në duart e një gruaje». Debora u ngrit e shkoi me Barakun në Kedesh. Baraku thirri fisin e Zabulonit dhe të Neftaliut në Kedesh e u nis me dhjetë mijë luftëtarë. Me ta shkoi edhe Debora.