Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 3:12-21

Gjyqtarët 3:12-21 AL1

Izraelitët filluan sërish të bënin ligësi në sytë e ZOTIT, prandaj dhe ZOTI i dha forcë Eglonit, mbretit të Moabit, që t'i kundërvihej Izraelit, për shkak të ligësisë që kishte bërë në sytë e ZOTIT. Egloni mblodhi rreth vetes pasardhësit e Amonit dhe të Amalekut, sulmoi Izraelin, e mposhti dhe pushtoi qytetin e Palmave. Izraelitët i shërbyen Eglonit, mbretit të Moabit, për tetëmbëdhjetë vjet. Atëherë izraelitët thirrën në ndihmë ZOTIN dhe ZOTI u dërgoi si shpëtimtar Ehudin, birin e Gerait, nga fisi i Benjaminit, që ishte mëngjarash. Izraelitët e dërguan t'i çonte tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. Ehudi bëri një shpatë me dy tehe, rreth gjysmë metri të gjatë, dhe e ngjeshi në ijën e djathtë nën rroba. Ehudi shkoi t'i japë tagrat Eglonit, mbretit të Moabit. Egloni ishte shumë i shëndoshë. Pasi i dhanë tagrat, Ehudi urdhëroi të largoheshin ata që kishin mbajtur tagrat. Kur mbërritën tek idhujt në Gilgal, Ehudi u kthye e i tha Eglonit: «Kam diçka për të të thënë në vesh, o mbret!». Mbreti dha urdhër që të mbahej qetësi dhe të gjithë ata që e shoqëronin dolën jashtë. Ehudi iu afrua mbretit, që rrinte ulur i vetëm në dhomën e sipërme e të freskët, e i tha: «Kam për të të thënë një fjalë nga Perëndia». Mbreti u ngrit nga froni. Atëherë Ehudi shtriu dorën e majtë, nxori shpatën nga ija e djathtë dhe ia nguli mbretit në bark.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë