Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 61

61
I dërguari i Zotit
1Shpirti i Zotit, Zotit tim, është mbi mua,
se vetë Zoti më ka vajosur,
më ka dërguar t'u shpall lajmin e mirë të vobektëve,
t'u lidh plagët zemërthyerve,
t'u shpall çlirimin të robëruarve,
të burgosurve, daljen nga burgu,
2të shpall vitin e hirit të Zotit
dhe ditën e hakmarrjes së Perëndisë tonë,
t'u jap ngushëllim të gjithë atyre që vajtojnë,
3të ngushëlloj ata që vajtojnë në Sion,
t'u vë kësula mbi kokë në vend të hirit,
vajin e gëzimit, në vend të zisë,
petkun e lavdit, në vend të shpirtit të thyer,
që lisa drejtësie të quhen,
mbëltim i Zotit, për lavdi të tij.
4Rrënojat e lashta do t'i ndërtojnë sërish,
gërmadhat e vjetra do t'i ngrenë,
do të përtërijnë qytetet e shkretuara,
të shkatërruara prej shumë breznish.
5Të huaj do të vijnë për t'jua kullotur tufat,
bij të huajsh do të jenë bujqit e vreshtarët tuaj.
6E ju do të quheni «priftërinj të Zotit».
«Shërbëtorë të Perëndisë tonë», do të thonë për ju.
Do të gëzoni të mirat e kombeve,
me pasurinë e tyre do të krenoheni.
7Dyfish të turpëruar keni qenë,
«Çnderimi është fati i tyre!», për ju bërtitën,
prandaj tokën tuaj dyfish do ta trashëgoni
e gëzim të përhershëm do të keni.
8Se unë, Zoti, që e dua drejtësinë
dhe e urrej plaçkitjen e paudhësinë,
unë do t'ju jap shpërblimin me besnikëri
e do të bëj me ju një besëlidhje të amshuar.
9Fara juaj do të jetë e njohur mes kombeve,
pasardhësit tuaj mes popujve.
Kushdo që do t'i shohë, do t'i njohë,
ata janë fara e bekuar prej Zotit.
10I madh është gëzimi im në Zotin,
shpirti im ngazëllen në Perëndinë tim,
se më veshi me rrobat e shpëtimit,
me petkun e drejtësisë më mbuloi,
si një dhëndër stolisur me kësulë,
si një nuse zbukuruar me stoli.
11Siç bën toka të mbijë bimësia,
si kopshti që rrit farën e mbjellë,
ashtu do ta rritë Zoti, Zoti im, drejtësinë
dhe lavdërimin përpara gjithë kombeve.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 61: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr