Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 55

55
Le të vijnë të eturit
1O ju të gjithë që keni etje,
ejani tek uji!
Kushdo që s'ka para le të afrohet!
Blini drithë e hani!
Ejani e blini verë e qumësht
pa para e pa pagesë!
2Pse i shpenzoni paratë për çka s'është bukë?
Përse mundoheni për gjëra që s'ngopin?
Dëgjomëni, pra, me kujdes mua
e do të hani çka është e mirë
dhe shpirti juaj do të kënaqet
me gjëra të shijshme.
3Mbani vesh dhe ejani tek unë!
Dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë!
Do të lidh me ju një besëlidhje të amshuar,
mirësinë e patundshme që i premtova Davidit.
4Ja, atë e bëra dëshmitar për popujt,
prijës e udhëheqës për kombet.
5Kështu, do të thërrasësh një komb që s'e njihje,
kombe, që s'të njihnin, do të vrapojnë te ti,
për shkak të Zotit, Perëndisë tënd,
të shenjtit të Izraelit, që të madhëroi.
6Kërkojeni Zotin ndërsa mund të gjendet,
thirrini atij për sa kohë është afër.
7Le të lërë i ligu udhën e tij,
i paudhi synimet e tij,
le të kthehet te Zoti, që ta mëshirojë,
te Perëndia ynë, që fal me gjithë zemër.
8Se mendimet e mia nuk janë si tuajat,
as udhët e mia si udhët tuaja,
kumton Zoti.
9Sa larg është qielli nga toka,
aq larg janë udhët e mia nga udhët tuaja,
mendimet e mia nga mendimet tuaja.
10Sikurse shiu dhe dëbora zbresin prej qiellit
e më atje nuk kthehen,
por e ujitin dhe e zbrujnë tokën,
e bëjnë të jetë pjellore,
që t'i japë bujkut farën për të mbjellë
e bukën për të ngrënë,
11ashtu edhe fjala ime, që del prej gojës sime,
s'do të kthehet pas tek unë e zbrazët,
pa ia dalë mbanë gjithçkaje që unë dua
e pa bërë atë për çka e dërgova.
12Ju do të niseni me gëzim prej andej
e në paqe do të përcilleni.
Para jush malet e kodrat
do të shpërthejnë në britma gëzimi,
të gjitha pemët e fushave
do të trokasin duart.
13Në vend të ferrave do të rritet qiparisi,
në vend të hithrave do të rritet mërsina.
Kjo do të jetë nder për Zotin,
shenjë e amshuar, që s'do të zhbihet.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 55: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë