Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 54

54
Jerusalemi i ardhshëm
1Ngazëllohu, o shterpë, që nuk linde,
shpërthe e bërtit nga gëzimi,
ti, që dhimbjet e lindjes nuk i pate.
Ja, bijtë e të braktisurës më të shumtë do të jenë
se bijtë e asaj që ka burrë, thotë Zoti.
2Zgjeroje vendin e tendës sate,
shtriji pa kursim pëlhurat e banesës sate,
zgjati litarët e tendës sate,
hunjtë e saj përforcoji,
3se do të përhapesh në të djathtë e në të majtë,
pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet,
qytetet e shkretuara do t'i popullojnë.
4Mos ki frikë, se nuk do të turpërohesh,
mos u skuq, se nuk do të çnderohesh.
Turpin e rinisë do ta harrosh,
çnderimin e vejërisë më s'do ta kujtosh.
5Krijuesi yt do të jetë bashkëshorti yt,
Zot i ushtrive është emri i tij.
Shpenguesi yt është i shenjti i Izraelit,
Perëndi i mbarë tokës quhet ai.
6Se si një grua të lënë,
të lënduar në shpirt, të thirri Zoti.
«Gruaja e viteve të rinisë a hidhet poshtë?»,
thotë Perëndia yt.
7«Për pak kohë të lashë,
por nga dhembshuria e madhe
po të marr sërish.
8Kur më shpërtheu zemërimi,
e fsheha për një çast fytyrën prej teje,
por nga mirësia e amshuar
pata dhembshuri për ty»,
thotë Zoti, shpenguesi yt.
9«Si në ditët e Noeut është tani për mua,
kur u betova se ujërat e Noeut
s'do të vërshonin më mbi tokë.
Po ashtu betohem se s'do të zemërohem më me ty
e më nuk do të të kërcënoj.
10Malet mund të tunden vendit
e kodrat mund të tranden,
por mirësia ime për ty s'do të tundet
dhe besëlidhja e paqes sime s'do të trandet»,
thotë Zoti që ka dhembshuri për ty.
11O e pikëlluar, e rrahur prej stuhive, e pangushëlluar!
Ja, me gurë të çmuar do të të ndërtoj,
themelet e tua mbi safirë do t'i vendos.
12Muret e tua prej rubini do t'i bëj,
portat e tua me gurë berili,
gjithë rrethimin tënd me gurë të çmuar.
13Të gjithë bijtë e tu do të mësojnë prej Zotit,
e madhe do të jetë paqja e bijve të tu!
14Themelet do t'i kesh në drejtësi,
larg do të jesh nga shtypja.
Frikë nuk do të kesh
e as tmerri nuk do të të prekë.
15Nëse duan të të sulmojnë,
kjo s'do të vijë prej meje.
Kush do të të sulmojë,
para teje do të bjerë.
16Ja, unë e krijova farkëtarin,
që fryn mbi prushin e zjarrit,
që prodhon vegla për punën e tij,
por unë krijova edhe shkatërruesin,
që të shkatërrojë.
17Asnjë armë e farkëtuar kundër teje
nuk do t'ia dalë mbanë.
Çdo gjuhë, që ngrihet në gjyq kundër teje,
do të ndëshkohet.
Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Zotit,
e drejta e tyre vjen prej meje,
kumton Zoti.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 54: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr