Por ja, ai mbajti vurratat tona,
dhimbjet tona i mbarti!
Për ne, ai ishte njeri i ndëshkuar,
i goditur prej Perëndisë, i poshtëruar!
E pra, ai u shporua për shkeljet tona,
u shtyp për paudhësitë tona.
Ndëshkimi që na dha paqen, ra mbi të,
prej vurratave të tij ne u shëruam.
Të gjithë endeshim si dele të humbura,
secili prej nesh ndiqte udhën e vet.
E ZOTI ngarkoi mbi të
paudhësinë e ne të gjithëve.
I keqtrajtuar, duroi poshtërimin,
gojën nuk e hapi.
Porsi qengji, që e çojnë në thertore,
si shqerra, që s'bëzan para qethësit,
gojën ai nuk e hapi.
Me dhunë e me gjyq e mbërthyen,
për fatin e tij kush mendoi?
Se e zhbinë nga toka e të gjallëve,
për shkeljet e popullit tim u godit.
Varrin ia vunë me të paudhët,
kur vdiq e vunë me pasanikët,
ndonëse nuk bëri asgjë të dhunshme
e mashtrim prej gojës nuk i doli.
Por ZOTI deshi ta shtypte përmes dhimbjes,
se, po ta jepte veten e tij si fli faji,
do të shihte pasardhës e do të jetonte gjatë,
e përmes tij dëshira e ZOTIT do t'ia dalë mbanë.
Prej mundimit të vetes së vet,
do të arrijë të shohë e do të kënaqet,
me dijen e tij shumë do të shfajësojë shërbëtori im i drejtë
e mbi vete mëkatet e tyre do të mbartë.
Prandaj, do t'i jap turmat si shpërblim,
të fuqishmit si plaçkë ai do t'i marrë,
se e zbrazi veten deri në vdekje,
me të paudhët e radhitën.
Mëkatet e shumë njerëzve ai mbarti,
për shkelësit ai ndërmjetësoi.