Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 5

5
Vreshti i Zotit
1Do t'i këndoj të dashurit tim një këngë,
këngën e të dashurit tim për vreshtin e tij,
vreshtin, që i dashuri im
mbi një kodër pjellore e kishte.
2E thuri, e pastroi nga gurët,
me hardhi të zgjedhura e mbolli,
në mes të tij një kullë ndërtoi,
torkun brenda tij gërmoi.
Priste t'i bënte rrush,
por i dha veç larushk.
3E ju, o banorë të Jerusalemit,
e ju, o burra të Judës,
mes meje e vreshtit tim gjykoni!
4Ç'të bëj më për vreshtin tim,
që ende s'e paskam bërë?
Tek prisja të më bënte rrush,
përse dha vetëm larushk?
5E tani më lejoni t'ju dëftej
se ç'do t'i bëj vreshtit tim:
do t'ia shthur gardhin,
që të bëhet djerr,
do t'ia rrëzoj ledhet,
që ta shkelin me këmbë.
6Do ta lë të mbesë i shkretë,
pa krasitje e pa prashitje,
që të mbijnë ferra e gjemba.
Reve do t'u urdhëroj,
të mos ia lëshojnë shiun.
7Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit,
filizat e tij të zgjedhur janë banorët e Judës.
Priti të vepronin drejt
e ja, veç gjakderdhje,
priti të bënin drejtësi
e ja, veç gulçime.
8Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi,
mjerë kush arës i shton arë!
Në fund s'do të ketë më vend,
vetmitarë do të jeni në mes të tokës.
9Në veshët e mi Zoti i ushtrive u betua:
vërtet shumë shtëpi do të mbesin të shkreta,
të mëdha e aq të bukura, por pa banorë.
10Tre hektarë vreshta veç një vozë verë,
dhjetë thasë farë veç një thes fare.
11Mjerë ata që rendin qëmenatë pas pijeve dehëse
e rrinë deri natën vonë duke u dendur me verë.
12Në festat e tyre ka harpa e qeste,
dajre, fyej e verë,
por as që duan t'ia dinë për veprën e Zotit,
bëmat e duarve të tij as që i vënë re.
13Ndaj populli im do të degdiset nga padija,
prej urisë do të vuajnë fisnikët e tij,
turmat do t'i përvëlojë etja.
14Skëterra e ka hapur mirë grykën,
gojën e ka shqyer gjerë e gjatë.
Në të do të bien fisnikët e turmat,
ajo shamatë e tërë ajo festë.
15Njeriu do të poshtërohet,
shumë poshtë do të bjerë,
vështrimi i krenarëve do të përulet.
16Do të lartësohet Zoti i ushtrive,
kur të shpallë gjykim,
Perëndia i shenjtë do ta dëftejë shenjtërinë,
kur të bëjë drejtësi.
17Do të kullotin atje qengjat si në livadhin e tyre,
të huajt do të ushqehen në rrënojat e pasanikëve.
18Mjerë ata që, me litarët e mashtrimit,
tërheqin pas vetes paudhësinë,
dhe mëkatin me litarët e qerres.
19E thonë: «Të nxitojë e ta bëjë shpejt veprën e tij,
që ta shohim,
të përmbushen sa më shpejt shestimet e të shenjtit të Izraelit,
që ta njohim».
20Mjerë ata që të keqen e quajnë të mirë
e të mirën të keqe,
që terrin e mbajnë për dritë
e dritën për errësirë,
që hidhësinë e mbajnë për të ëmbël
e të ëmblën për të hidhur.
21Mjerë ata që mbahen për të urtë,
që kujtojnë se janë të mençur.
22Mjerë ata që janë trima për të pirë verë
e mjeshtra për të përzier pijet dehëse,
23që e shfajësojnë të paudhin për të marrë mitë
e të drejtit ia mohojnë drejtësinë.
24Ndaj, sikur gjuha e zjarrit djeg kashtën
e flaka përpin bykun,
ashtu do t'u kalbet rrënja
e lulja e tyre do të fluturojë si pluhuri,
se e hodhën poshtë ligjin e Zotit të ushtrive,
e përçmuan fjalën e të shenjtit të Izraelit.
25Prandaj u ndez zemërimi i Zotit kundër popullit,
prandaj e shtriu dorën për t'i goditur.
Malet fort u trandën
e kufomat e tyre si plehu mbuluan rrugët,
por zemërimi i tij nuk u fashit
e dora e tij është ende e shtrirë.
26Flamurin do të ngrejë për kombet e largëta,
do t'u fërshëllejë deri në skajet e tokës
e, ja, kur t'ia behin shpejt e vetëtimthi.
27Asnjë s'është i lodhur apo i këputur,
asnjë nuk dremit e nuk përgjumet,
Brezi nga ijët nuk u zgjidhet,
rripat e sandaleve nuk u këputen.
28Shigjetat e tyre janë të mprehta, harqet të ndehura,
thundrat e kuajve të forta si gur stralli,
rrotat e qerreve të luftës si vorbulla e erës.
29Ulërima e tyre si ulërimë luani,
ulërijnë si këlyshë luani.
Hungërojnë, zënë prenë,
në vend të sigurt e shpien
e askush nuk ua rrëmben.
30Do të ulërijnë atë ditë mbi të, siç ulërin deti,
Do të hedhin sytë mbi vendin,
do të shohin errësirë e fatkeqësi,
dritën të errësuar prej reve.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 5: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr