Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 49:8-18

Isaia 49:8-18 AL1

Kështu thotë ZOTI: Në kohën e duhur të jam gjendur, ditën e shpëtimit të kam ndihmuar. Të kam ruajtur, të kam caktuar të jesh besëlidhja e popullit, që vendin ti ta përtërish, që të rindash trashëgimitë e shkatërruara, për t'u thënë të burgosurve: «Dilni!», atyre që janë në errësirë: «Shfaquni!». Përgjatë udhëve do të kullotin, kullotat do t'i kenë mbi çdo kodër të zhveshur. Nuk do të kenë uri, nuk do të kenë etje, nuk do t'u bjerë as vapa e as dielli, se do t'u prijë ai që ka mëshirë për ta, nëpër burime ujërash do t'i çojë. Gjithë malet e mia në udhë do t'i kthej, rrugët e mia të mëdha më lart do t'i ngre. Ja, këta do të vijnë nga larg, ata nga veriu e perëndimi, të tjerë nga dheu i Sinimit. Ngazëlloni, o qiej, gëzohu ti, o tokë, brohoritni ju, o male, se ZOTI e ngushëllon popullin e vet, është i mëshirshëm me të varfrit e tij. Sioni tha: «Më braktisi ZOTI, Zoti më ka harruar». A mund ta harrojë gruaja foshnjën e vet e të mos i dhimbset fryti i barkut të vet? Por edhe sikur ato të harronin, unë ty nuk të harroj! Ja, të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia, muret e tua gjithmonë para syve i kam. Bijtë e tu po vijnë me nxitim, ata që të rrënuan e të shkatërruan po ikin prej teje. Ngriji sytë rreth e qark e shiko, të gjithë po mblidhen e po vijnë te ti! Pasha jetën time, kumton ZOTI, do t'i veshësh të gjithë si stoli, porsi nusja do të ngjishesh me ta.