Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 28:1-19

Isaia 28:1-19 AL1

Mjerë kurora e lavdishme e të dehurve të Efraimit, lulja e vyshkur e bukurisë së tij madhështore, që rri mbi kryet e luginës pjellore, të marrë mendsh prej verës. Ja, ZOTI ka një njeri të fortë e të fuqishëm, si stuhia e breshrit, si furtuna shkatërruese, si vërshimi i ujit të furishëm e rrëmbyes, me një dorë mbi tokë e përplas. Me këmbë do të shkelmohet kurora e lavdishme e të dehurve të Efraimit. Lulja e vyshkur e bukurisë së tij madhështore, që rri mbi kryet e luginës pjellore, do të jetë porsi fiku i pjekur para vere, që e sheh dikush, e këput me dorë dhe e përlan. Atë ditë ZOTI i ushtrive do të jetë kurora e lavdisë, ai do të jetë diadema plot shkëlqim për tepricën e popullit të tij. Do të jetë shpirti i drejtësisë për gjykatësin, fuqia e atyre që e sprapsin sulmin te porta. Por, edhe këta janë trullosur prej verës, prej pijes dehëse u merren këmbët. Prifti e profeti janë trullosur prej pijes dehëse, janë çoroditur prej verës. Janë të trullosur prej pijes së fortë, të përhumbur në vegime, të lëkundur në gjykime. Gjithë tryezat e tyre janë plot me të vjella e ndyrësi; vend më në to nuk ka. «Por kujt do t'ia mësonte urtinë?», pyesin. «Kujt do t'ia shtjellonte lajmin? Atyre që sapo janë zvjerdhur, atyre që sapo u është hequr gjiri? Se paska urdhër pas urdhri, urdhër pas urdhri, e rregull pas rregulli, rregull pas rregulli, pak këtu e pak atje». Me buzë që belbëzojnë e me gjuhë të huaj këtij populli do t'i flasë. Ai vetë u kishte thënë: «Ja ku do të gjeni prehje! Vërini të lodhurit këtu të prehen, këtu do të gjeni prehje». Por ata s'deshën të dëgjonin. Por për ta fjala e ZOTIT ishte urdhër pas urdhri, urdhër pas urdhri, e rregull pas rregulli, rregull pas rregulli, pak këtu e pak atje, që të shkonin e të binin përmbys, që të bëheshin copë e çikë, t'i zinte laku e të kapeshin. Prandaj dëgjojeni fjalën e ZOTIT, o njerëz shpotitës, ju, që mbi popullin tim sundoni në Jerusalem. «Kemi bërë besëlidhje me vdekjen», thoni, «Me skëterrën kemi bërë marrëveshje, që kur të vijë përmbytja e madhe, të mos na prekë aspak, se për strehë kemi gënjeshtrën, mashtrimin, vendstrehim». Prandaj kështu thotë ZOTI Perëndi: Ja, në Sion do të vë një gur, gur të sprovuar, gur qosheje, gur të çmuar, gur themeli. E kush të besojë në të, nuk ka pse ngutet. Të drejtën do ta bëj matës, drejtësinë plumbç. Por strehën e gënjeshtrës do ta rrënojë breshri, vendstrehimin do ta përmbytin ujërat. Besëlidhja juaj me vdekjen do të zhvlerësohet, marrëveshja juaj me skëterrën s'do të qëndrojë. Kur të kalojë rrebeshi përmbytës, keni për t'u shkelur prej tij. Sa të kalojë, para do t'ju marrë, do të kalojë çdo mëngjes, do të kalojë ditë e natë. Vetëm tmerri do ta përhapë lajmin.