Isaia 15
15
Shkatërrimi i Moabit
1Profeci për Moabin:
natën u rrënua Ar Moabi,
krejt u shkatërrua;
natën u rrënua Kir Moabi,
krejt u shkatërrua!
2Shkuan në tempull për të qarë,
Diboni u ngjit te faltorja në vend të lartë,
për Nebonë e për Medebën vajton Moabi,
të gjitha kokat janë rruar,
të gjitha mjekrat janë prerë.
3Nëpër udhët e tij janë veshur me grathore,
nëpër pullazet e nëpër sheshet e tij
të gjithë kanë filluar kujën,
të gjithë po shkrihen në vaj.
4Heshboni dhe Elealehu po vënë gjëmën,
vajtimi i tyre dëgjohet deri në Jahac,
prandaj këlthasin luftëtarët e Moabit,
u dridhet shpirti nga frika.
5Zemra ime vajton për Moabin,
të ikurit e tij kanë mbërritur deri në Coar
deri në Eglat Shlishijah,
përpjetës së Luhitit ngjiten e vajtojnë,
rrugës së Horonaimit kujë therëse lëshojnë.
6Ja, ujërat e Nimrimit shterën,
bimësia u tha, bari u zhbi,
gjelbërim nuk ka më.
7Prandaj, pasuritë e të mirat që mblodhën
po i mbartin përtej përroit të Shelgjeve.
8U përhap britma në viset e Moabit,
vajtimi i tij deri në Eglaim,
gjëma e tij deri në Ber Elim.
9Ujërat e Dimonit janë mbushur me gjak.
Por do t'ia shtoj të këqijat Dimonit:
një luan për të ikurit e Moabit
për ata që do të kenë mbetur në vend.
Aktualisht i përzgjedhur:
Isaia 15: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
![None](/_next/image?url=https%3A%2F%2Fimageproxy.youversionapi.com%2F58%2Fhttps%3A%2F%2Fweb-assets.youversion.com%2Fapp-icons%2Fsq.png&w=128&q=75)
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020