Isaia 1
1
1Vegimi, që Isaia, biri i Amosit, pa për Judën dhe për Jerusalemin në ditët e Uziahut, Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës.
Populli që braktisi Zotin
2Dëgjoni, o qiej, mba vesh, o tokë,
se po flet Zoti:
fëmijët i mëkova e i rrita,
por ata u ngritën kundër meje.
3Kau e njeh të zotin
e gomari grazhdin e zotërisë së tij,
por Izraeli nuk di asgjë,
populli im nuk kupton.
4Mjerë kombi mëkatar,
populli i ngarkuar me faje,
fara e keqbërësve, fëmijët e shthurur!
Kanë braktisur Zotin,
kanë përçmuar të shenjtin e Izraelit,
shpinën i kanë kthyer.
5Përse doni t'ju godas edhe më?
Përse vazhdoni të ngrini krye?
Çdo kokë dergjet e sëmurë,
çdo zemër lëngon nga dhimbja.
6Nga shputa e këmbës deri te koka
nuk ka përbrenda asgjë të shëndetshme,
veç blana e vurrata, plagë të hapura,
që s'janë pastruar e s'janë lidhur,
as nuk janë zbutur me vaj.
7Toka juaj është shkretuar,
qytetet tuaja janë shkrumbuar,
arat jua hanë të huajt sy për sy,
djerrinë e shkretuar prej të huajve.
8Ka mbetur bija e Sionit,
si kasollja në mes të vreshtit,
si kolibja në arën me tranguj,
porsi qyteti i rrethuar.
9Sikur Zoti i ushtrive
të mos na kishte lënë një tepricë të vogël,
si Sodoma do të ishim,
Gomorrës do t'i përngjanim.
10Dëgjojeni fjalën e Zotit,
o prijës të Sodomës!
Vërini vesh ligjit të Perëndisë tonë,
o popull i Gomorrës!
11Ç'më duhen flitë tuaja të panumërta? Thotë Zoti:
jam ngopur me fli shkrumbimi deshësh
e me dhjamë bagëtish të majme.
Gjak demash, qengjash e cjepsh nuk dua më.
12Kur vini të paraqiteni para meje,
kush u ka kërkuar të endeni nëpër tremet e mia?
13Mos sillni më fli të kota,
temjanin e kam neveri,
hënat e reja, të shtunat e të kremtet,
kuvendet e paudhësitë
nuk i përtyp dot.
14Hënat e reja e të kremtet tuaja
i urrej me gjithë shpirt,
më janë bërë barrë
e nuk i duroj dot.
15Kur i shtrini duart drejt meje,
unë i largoj sytë prej jush,
edhe kur luteni gjatë e gjatë,
as që ju dëgjoj,
se duart i keni tërë gjak.
16Lahuni, pastrohuni,
hiqmani sysh ligësinë e veprave tuaja,
reshtni së bëri të keqen!
17Mësoni të bëni të mirën,
kërkoni drejtësinë,
ndihmoni të shtypurin,
jepini drejtësi jetimit,
mbroni çështjen e të vesë.
18Ejani, pra, të pleqërojmë, thotë Zoti.
Edhe po të jenë mëkatet tuaja flakë të kuqe,
do të bëhen të bardha si dëbora,
edhe po të jetë të kuqe si purpuri,
do të bëhen porsi leshi.
19Nëse doni të më dëgjoni,
do të hani të mirat e tokës,
20por nëse nuk pranoni e krye ngrini,
do t'ju përpijë shpata.
Kështu ka thënë goja e Zotit.
21Si u kthye në lavire qyteza besnike
që ishte plot mirësi?
Në të banonte dikur drejtësia
e tani vrasësit.
22Argjendi të është kthyer në zgjyrë,
vera t'u hollua me ujë.
23Prijësit e tu kanë ngritur krye,
me kusarë shoqërohen.
Të gjithë lakmojë dhuratat,
rendin veç pas përfitimit.
Nuk i japin të drejtën jetimit,
çështja e të vesë s'arrin para tyre.
24Prandaj kështu thotë Zoti,
Zoti i ushtrive, i forti i Izraelit:
Mjerë! Do të kënaqem mbi kundërshtarët e mi,
do të marr hak kundër armiqve të mi.
25Do ta kthej dorën kundër teje,
me finjë do të ta heq zgjyrën,
plumbin prej teje do ta zhduk krejt.
26Do t'i kthej gjyqtarët e tu si më parë,
këshilltarët e tu siç ishte në fillim.
Atëherë do të quhesh «Qyteti i Drejtësisë»,
do të quhesh «Qyteti Besnik».
27Sioni do të shpengohet me të drejtën,
ata që pendohen në të, me drejtësinë.
28Të paudhët e mëkatarët do të shkatërrohen njëherësh,
ata që braktisën Zotin do të marrin fund.
29Atëherë do t'ju vijë turp prej lisave,
nën të cilët me dëshirë keni adhuruar,
do të skuqeni prej kopshteve
që vetë i patët zgjedhur.
30Se do të bëheni si lisi me gjethe të fishkura,
porsi kopshti që nuk ka pikë uji.
31I forti do të bëhet si kallamishtja,
vepra e tij porsi shkëndija,
do të digjen që të dy
e askush s'ka për t'i shuar.
Aktualisht i përzgjedhur:
Isaia 1: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020