Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hosea 7

7
1«Sa herë Izraelin e shëroj,
shfaqen fajet e Efraimit
e paudhësitë e Samarisë.
Ata mashtrojnë,
vjedhësit hyjnë brenda,
kusarët sulen rrugëve.
2Por, nuk u bie ndër mend,
se gjithë paudhësitë e tyre unë i kujtoj.
Ja, veprat e veta i rrethojnë,
para fytyrës sime ato qëndrojnë.
3Me prapësitë e tyre e gëzojnë mbretin,
me rrena, princat e tyre.
4Të gjithë janë kurorëshkelës,
janë porsi një furrë e nxehur fort,
zjarrin e të cilës bukëpjekësi nuk e shpurrit
derisa t'i vijë brumi që zë.
5Në ditën e kurorëzimit
sëmuren princat të tërbuar me verë
e mbreti bashkë me tallësit tregon me gisht.
6Zemrat e tyre mashtruese flakërojnë porsi furra,
gjatë natës bukëpjekësi i tyre fle,
por flakët e zjarrit ndizen që herët në mëngjes.
7Të gjithë janë ndezur porsi furra
e gjyqtarët e tyre i përpijnë.
Tërë mbretërit e tyre bien,
por askush prej tyre nuk më thërret për ndihmë.
8Efraimi përzihet me popujt e tjerë,
ai është si kulaçi gjysmë i pjekur.
9Të huajt ia përpinë fuqinë,
por ai nuk e kupton.
Thinjat i kanë dalë në kokë,
por ai nuk e kupton.
10Krenaria e Izraelit dëshmon kundër tij,
por nuk kthehet te Zoti, Perëndia i vet,
e prapë nuk e kërkon Perëndinë.
11Efraimi u bë si pëllumbi,
mendjelehtë e dritëshkurtër,
thërret Egjiptin e shkon në Asiri.
12Rrjetën do t'u hedh kur të nisen,
do t'i rrëzoj poshtë porsi shpendët e qiellit,
do t'i ndëshkoj sa herë kuvendojnë.
13Mjerë ata, se ikën prej meje,
rrënimi i pret, se kundër meje u ngritën.
Unë do t'i shpëtoja,
por rrena flasin për mua.
14Nuk më thërrasin me gjithë zemër,
se kur vajtojnë në shtrojat e tyre
e përgjaken për drithin e verën,
kundër meje ata ngrihen.
15Unë i mësova, krahun ua forcova,
por kundër meje ata ligësi shestojnë.
16Kthehen, por jo ku duhet,
u bënë si harku i thyer.
Krerët do të bien nga shpata,
prej gjuhës së tyre të pacipë.
Për këtë do të përqeshen në tokën e Egjiptit».

Aktualisht i përzgjedhur:

Hosea 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë