Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hebrenjve 1:2-14

Hebrenjve 1:2-14 AL1

ndërsa këto kohët e fundit na foli nëpërmjet Birit. Nëpërmjet tij Perëndia ka krijuar gjithësinë dhe atë e ka caktuar trashëgimtar të gjithçkaje. Biri është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, shprehja e plotë e qenies së tij dhe ai që mban gjithçka me fuqinë e fjalës së tij. Pasi na pastroi nga mëkatet, ai u ul në qiell në të djathtë të Perëndisë së madhërishëm. Ai u bë më i madh se engjëjt, aq sa ç'ishte më madhështor emri që trashëgoi nga Perëndia. Dhe vërtet, Perëndia nuk i ka thënë kurrë ndonjë engjëlli: ti je Biri im, të kam lindur sot. As nuk ka thënë për ndonjërin: unë do të jem për të Atë e ai do të jetë për mua Bir. Kur Perëndia do të dërgonte në botë Birin e tij të parëlindur, tha: le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë. Ndërsa për engjëjt tha: Perëndia i bën engjëjt e tij si era dhe shërbyesit e tij si flaka e zjarrit. Për Birin ka thënë: froni yt, o Perëndi, mbetet në shekuj të shekujve dhe skeptri i drejtësisë është skeptri i mbretërisë sate. E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë. Prandaj, Perëndia yt, o Perëndi, të vajosi mes shokëve të tu, me vajin e gëzimit. Ka thënë edhe: ti, o Zot, në fillim e themelove tokën dhe vepër e duarve të tua janë qiejt. Ata do të zhduken, ndërsa ti do të mbetesh. Të gjithë do të vjetrohen si rrobë. Do t'i mbështjellësh si petk e do t'i ndërrosh si rrobë, ndërsa ti do të mbetesh po ai dhe vitet e tua nuk do të perëndojnë. Perëndia nuk i tha kurrë ndonjë engjëlli: ulu në të djathtën time, derisa t'i vë armiqtë e tu si shtrojë të këmbëve të tua. A nuk janë, pra, të gjithë engjëjt shpirtra shërbestarë që Perëndia i ka dërguar për t'u shërbyer atyre që do të trashëgojnë shpëtimin?