Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 8:1-16

Zanafilla 8:1-16 AL1

Perëndia u kujtua për Noeun e të gjitha kafshët e egra dhe bagëtitë që ishin me të në arkë. Ai dërgoi një erë mbi tokë e ujërat u ulën. Burimet e humnerës dhe kanatet e qiellit u mbyllën. Shiu nga qielli pushoi. Ujërat sa vinin e tërhiqeshin nga toka dhe pas njëqind e pesëdhjetë ditësh u pakësuan. Në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të shtatë arka u ndal mbi malet e Araratit. Ujërat vazhduan të pakësoheshin deri në muajin e dhjetë. Në ditën e parë të muajit të dhjetë u dukën majat e maleve. Pasi kaluan dyzet ditë, Noeu hapi dritaren e arkës që kishte bërë dhe lëshoi një korb që shkonte e vinte derisa u thanë ujërat mbi tokë. Pastaj lëshoi një pëllumb për të parë nëse ujërat ishin ulur nga faqja e dheut. Por pëllumbi nuk gjeti ku të vinte këmbën e u kthye tek ai në arkë, sepse ujërat mbulonin tërë faqen e tokës. Kështu Noeu zgjati dorën, e kapi dhe e futi në arkë. Pasi priti shtatë ditë të tjera, e lëshoi përsëri pëllumbin nga arka. Pëllumbi erdhi tek ai në mbrëmje, dhe ja, në sqep mbante një gjethe ulliri të sapokëputur. Noeu e kuptoi që ujërat ishin tërhequr nga toka. Pastaj priti edhe shtatë ditë të tjera. E lëshoi edhe një herë pëllumbin dhe ky nuk u kthye më. Në ditën e parë të muajit të parë të vitit gjashtëqind e një, ujërat u thanë nga toka dhe Noeu hoqi mbulesën e arkës. Vështroi dhe, ja, faqja e tokës ishte tharë. Në ditën e njëzet e shtatë të muajit të dytë toka u tha. Atëherë Perëndia i tha Noeut: «Dil nga arka, ti bashkë me gruan tënde, me bijtë e tu e me gratë e bijve të tu.