Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 7:11-24

Zanafilla 7:11-24 AL1

Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të dytë, shpërthyen tërë burimet e humnerës së madhe dhe kanatet e qiellit u hapën. Mbi tokë ra shi për dyzet ditë e net. Në të njëjtën ditë Noeu e bijtë e tij, Kami, Semi e Jafeti, bashkë me të shoqen dhe me tri gratë e bijve të tij, hynë në arkë. Ata e çdo kafshë e egër sipas llojit të vet, çdo bagëti sipas llojit të vet e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë sipas llojit të vet, çdo shpend sipas llojit të vet e çdo zog fluturak erdhën te Noeu e hynë në arkë, dy e nga dy nga çdo qenie e gjallë. Nga çdo qenie e gjallë hynë mashkull e femër, ashtu siç Perëndia e kishte urdhëruar Noeun. Pastaj ZOTI e mbylli arkën. Toka u përmbyt për dyzet ditë. Ujërat u shtuan dhe e ngritën arkën nga toka. Ujërat u rritën e u shtuan shumë mbi tokë, por arka lundronte mbi ujë. Ato u rritën aq shumë saqë mbuluan tërë malet e larta nën tërë qiellin. Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kute mbi to e malet u mbuluan. Kështu mori fund çdo qenie e gjallë që lëviz mbi tokë: shpendët, bagëtitë, kafshët e egra, tërë zvarranikët që zvarriten mbi tokë dhe gjithë njerëzimi. Vdiq gjithçka e gjallë mbi dhe. Ai shuajti çdo gjë të gjallë që ishte mbi faqen e dheut, nga njeriu deri te bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit. Ato u shuan nga toka. Vetëm Noeu e ata që ishin me të në arkë mbetën gjallë. Ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.