Zanafilla 7
7
Përmbytja
1 Zoti i tha Noeut: «Hyr në arkë, ti e gjithë familja jote, sepse në këtë brezni ty të gjeta të drejtë. 2Prej çdo kafshe që është e pastër, merr me vete shtatë çifte, mashkull e femër, ndërsa prej kafshëve të papastra merr një çift, mashkull e femër. 3Po ashtu, prej shpendëve të qiellit merr shtatë çifte, mashkull e femër, që fara e tyre të mbetet gjallë mbi tërë faqen e dheut. 4Sepse pas shtatë ditësh, unë do të bëj të bjerë shi mbi tokë për dyzet ditë e net dhe do të shuaj nga faqja e tokës çdo gjë të gjallë që bëra». 5Noeu bëri gjithçka që Zoti i urdhëroi.
6Noeu ishte gjashtëqind vjeç kur u përmbyt toka. 7Ai hyri në arkë bashkë me të bijtë, me të shoqen e me gratë e bijve të tij për t'u shpëtuar ujërave të përmbytjes. 8Prej kafshëve të pastra e të papastra, prej shpendëve e prej çdo zvarraniku mbi tokë, 9dy e nga dy, mashkull e femër, erdhën te Noeu dhe hynë në arkë, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia. 10Dhe pas shtatë ditësh ujërat e përmbytjes vërshuan mbi tokë.
11Në vitin e gjashtëqindtë të jetës së Noeut, në ditën e shtatëmbëdhjetë të muajit të dytë, shpërthyen tërë burimet e humnerës së madhe dhe kanatet e qiellit u hapën. 12Mbi tokë ra shi për dyzet ditë e net. 13Në të njëjtën ditë Noeu e bijtë e tij, Kami, Semi e Jafeti, bashkë me të shoqen dhe me tri gratë e bijve të tij, hynë në arkë. 14Ata e çdo kafshë e egër sipas llojit të vet, çdo bagëti sipas llojit të vet e çdo zvarranik që zvarritet mbi tokë sipas llojit të vet, çdo shpend sipas llojit të vet e çdo zog fluturak 15erdhën te Noeu e hynë në arkë, dy e nga dy nga çdo qenie e gjallë. 16Nga çdo qenie e gjallë hynë mashkull e femër, ashtu siç Perëndia e kishte urdhëruar Noeun. Pastaj Zoti e mbylli arkën.
17Toka u përmbyt për dyzet ditë. Ujërat u shtuan dhe e ngritën arkën nga toka. 18Ujërat u rritën e u shtuan shumë mbi tokë, por arka lundronte mbi ujë. 19Ato u rritën aq shumë saqë mbuluan tërë malet e larta nën tërë qiellin. 20Ujërat u ngritën pesëmbëdhjetë kute mbi to e malet u mbuluan. 21Kështu mori fund çdo qenie e gjallë që lëviz mbi tokë: shpendët, bagëtitë, kafshët e egra, tërë zvarranikët që zvarriten mbi tokë dhe gjithë njerëzimi. 22Vdiq gjithçka e gjallë mbi dhe. 23Ai shuajti çdo gjë të gjallë që ishte mbi faqen e dheut, nga njeriu deri te bagëtitë, zvarranikët e shpendët e qiellit. Ato u shuan nga toka. Vetëm Noeu e ata që ishin me të në arkë mbetën gjallë. 24Ujërat mbuluan tokën për njëqind e pesëdhjetë ditë.
Aktualisht i përzgjedhur:
Zanafilla 7: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020