Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 6:9-22

Zanafilla 6:9-22 AL1

Kjo është historia e Noeut. Noeu ishte njeri i drejtë, i patëmetë ndër bashkëkohësit e tij dhe jetonte me Perëndinë. Atij i lindën tre djem, Semi, Kami e Jafeti. Toka ishte shthurur para syve të Perëndisë e ishte mbushur me dhunë. Perëndia pa tokën dhe, ja, ajo ishte e prishur pasi çdo njeri mbi tokë bënte jetë të shthurur. Perëndia i tha Noeut: «Kam vendosur t'i jap fund çdo njeriu, se e kanë mbushur tokën me dhunë. Ja, do t'i zhduk bashkë me tokën. Bëj një arkë me dru goferi, bëje me dhoma e lyeje brenda e jashtë me zift. Ja si do ta bësh: treqind kute të gjatë, pesëdhjetë kute të gjerë e tridhjetë kute të lartë. Bëj një çati për arkën e ngrije një kut më lart. Derën e arkës vëre anash e bëj një kat përdhe, një të dytë e një të tretë. Dhe ja, unë do të sjell përmbytjen mbi tokë që të mbytë çdo qenie të gjallë nën qiell. Çdo gjë që është mbi tokë do të marrë fund. Por besëlidhjen time do ta bëj me ty e ti, bashkë me bijtë e tu, me gruan tënde e me gratë e bijve të tu, do të hysh në arkë. Dhe nga çdo gjallesë e gjë e gjallë do të marrësh në arkë dy prej çdo lloji, që të mbeten gjallë bashkë me ty. Mashkull e femër do të jenë. Prej shpendëve sipas llojit të tyre, prej bagëtive sipas llojit të tyre e prej çdo zvarraniku të tokës sipas llojit të tyre, dy prej çdo lloji do të vijnë te ti që të mbeten gjallë. Merr e grumbullo për vete prej çdo lloji ushqimi që hahet. Do të jetë ushqim për ty e për kafshët». Dhe Noeu kështu veproi. Bëri gjithçka siç e kishte urdhëruar Perëndia.