Jakobi i thirri të bijtë e u tha: «Ejani t'ju tregoj se çfarë do t'ju ndodhë në ditët që po vijnë: Mblidhuni e dëgjoni, o bijtë e Jakobit, dëgjojeni Izraelin, atin tuaj! O Ruben, i parëlinduri im, ti, fuqia e fryti i parë i burrërisë sime, i epërm në krenari e fuqi, i rrëmbyer si uji, mos paç epërsi, se u shtrive në shtrojën e atit tënd dhe e fëlliqe. Mbi shtratin tim ai u shtri. Simeoni e Levi vëllezër janë e për dhunë shpatat i kanë! Në kuvendin e tyre mos marrtë pjesë shpirti im e në mbledhjet e tyre mos qoftë nderi im. Se nga zemërimi vranë njerëz e dema gjymtuan si deshën. Mallkuar qoftë zemërimi i tyre i tërbuar e mëria e tyre mizore. Te Jakobi do t'i ndaj e nëpër Izrael do t'i shpërndaj. O Judë! Ty, do të lavdërojnë vëllezërit e tu. Mbi zverkun e armiqve të tu do të jetë dora jote. Para teje do të përkulen bijtë e atit tënd! Pjellë luani është Juda. Prej presë u ktheve biri im. Ai ulet e shtrihet si një luan e kush guxon ta zgjojë? Skeptri nuk do t'i hiqet Judës, as shkopi i prijësit këmbëve të tij. Do t'i sjellin tagrin, popujt do ta dëgjojnë. Gomarin e lidh në pjergull, kërriçin te hardhia më e mirë. Me verë e lan rrobën e tij, me lëngun e rrushit petkun. Të kuq si vera sytë e tij, të bardhë si qumështi dhëmbët.
Lexo Zanafilla 49
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zanafilla 49:1-12
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video