Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 41:9-36

Zanafilla 41:9-36 AL1

Atëherë i pari i kupëmbajtësve i tha faraonit: «Sot po më kujtohet faji im. Kur faraoni u zemërua me shërbëtorët e tij, na futi në burg, mua dhe të parin e bukëpjekësve, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. Një natë, që të dy pamë nga një ëndërr e secila ëndërr kishte kuptimin e vet. Atje, bashkë me ne, ishte një djalosh hebre, skllav i komandantit të truprojës. Ia treguam atij dhe ai na e shpjegoi secilit ëndrrën. Siç na i shpjegoi ai, ashtu edhe ndodhi. Unë u riktheva në detyrë, ndërsa tjetri u var». Atëherë faraoni dërgoi njerëz e thirri Jozefin. Ata e nxorën me të shpejtë nga burgu. Jozefi u rrua, ndërroi rrobat e doli para faraonit. Faraoni i tha Jozefit: «Kam parë një ëndërr e s'ka kush të ma shpjegojë. Kam dëgjuar se ti mund të shpjegosh çdo ëndërr që dëgjon». Jozefi iu përgjigj: «Jo unë, por Perëndia do t'i japë faraonit një përgjigje të mirë». Faraoni i tha: «Në ëndërr po qëndroja në breg të lumit Nil, kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të majme e të hijshme e po kullotnin ndër xunkthe. Pas tyre dolën edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të këputura, shumë të ligshta e të dobëta. Lopë kaq të këqija nuk kisha parë kurrë në tërë tokën e Egjiptit. Ato i hëngrën shtatë lopët e para që ishin të majme, i përlanë, por nuk merrej vesh që i kishin ngrënë, sepse ishin po aq të ligshta sa në fillim. Atëherë u zgjova. Pastaj pashë në ëndërr shtatë kallinj të plotë e të mirë që po dilnin nga një kërcell. Pas tyre dolën shtatë kallinj të fishkur, të hollë e të tharë nga era e lindjes e i përpinë shtatë kallinjtë e mirë. Ua tregova magjistarëve, por askush nuk mundi të m'i shpjegojë». Atëherë Jozefi i tha faraonit: «Ëndrrat e faraonit janë të njëjta. Faraonit i është treguar se çfarë do të bëjë Perëndia. Shtatë lopët e mira e shtatë kallinjtë e mirë janë shtatë vjet. Ëndrrat janë të njëjta. Shtatë lopët e dobëta e të ligshta që dolën pas tyre dhe shtatë kallinjtë bosh e të tharë nga era e lindjes janë shtatë vjet zi buke. Këtë gjë i them faraonit: atij i është zbuluar se çfarë do të bëjë Perëndia. Ja, tërë Egjipti do të ketë shtatë vite të begatshme. Pas tyre do të vijnë shtatë vite zi buke dhe gjithë begatia do të harrohet në tokën e Egjiptit. Zia e bukës do ta shkatërrojë vendin. Begatia e tokës nuk do të mbahet më mend, se zia që do të vijë më pas do të jetë shumë e madhe. Sa për ëndrrën që t'u përsërit dy herë, do të thotë se vendimi është marrë nga Perëndia dhe se ai ka për të vepruar shumë shpejt. Prandaj, faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar e të ditur që ta vendosë në krye të Egjiptit. Faraoni të caktojë mbikëqyrës në tokën e Egjiptit që, gjatë shtatë viteve të begatshme, të marrë të pestën e prodhimeve. Mbikëqyrësit të mbledhin të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vijnë. Të grumbullojnë grurë në emër të faraonit e ta ruajnë si ushqim për qytetet. Kjo, do të jetë tëmotje për vendin gjatë shtatë viteve të zisë që do të mbulojë tokën e Egjiptit. Kështu, vendi nuk do të marrë fund nga zia e bukës».