Atëherë i pari i kupëmbajtësve tregoi ëndrrën e vet: «Në ëndërr pashë një hardhi përpara meje. Hardhia kishte tri degë e posa filloi të bulojë, lulet çelën e vilet e rrushit u poqën. Në dorë kisha kupën e faraonit. I kapa vilet e rrushit, i shtrydha në kupë e ia dhashë faraonit në dorë». Jozefi i tha: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri degët janë tri ditë. Brenda tri ditësh faraoni do të të falë, do të të rikthejë në detyrën që kishe e ti do t'ia japësh kupën në dorë, ashtu siç bëje më parë kur ishe kupëmbajtësi i tij. Por kur të jesh i lirë më kujto e tregohu mirëdashës me mua. Më përmend para faraonit që të më nxjerrësh nga burgu, sepse me dhunë më rrëmbyen nga toka e hebrenjve. Edhe këtu nuk kam bërë asgjë që të meritoj burgun». Kur i pari i bukëpjekësve pa se shpjegimi i ëndrrës ishte i mirë, i tha Jozefit: «Edhe unë pashë një ëndërr. Mbi krye kisha tri shporta me bukë. Shporta e sipërme kishte gjithfarë ushqimesh të gatuara për faraonin, por po i hanin shpendët. Ato po hanin nga shporta që ishte mbi kokën time». Jozefi iu përgjigj: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri shportat janë tri ditë. Brenda tri ditësh faraoni do të ta presë kokën, do të të varë në pemë e shpendët do të të hanë trupin». Ditën e tretë ishte ditëlindja e faraonit. Ai shtroi një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe nxori para tyre të parin e kupëmbajtësve e të parin e bukëpjekësve. Të parin e kupëmbajtësve e rikthehu në detyrë që t'i jepte kupën në dorë. Ndërsa bukëpjekësin e vari, ashtu siç ua kishte shpjeguar Jozefi. Mirëpo i pari i kupëmbajtësve nuk u kujtua për Jozefin. Ai e harroi atë.
Lexo Zanafilla 40
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zanafilla 40:9-23
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video