Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 40

40
Ëndrra e oborrtarëve
1Pas këtyre ngjarjeve, kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit bënë faj ndaj zotërisë së tyre, mbretit të Egjiptit. 2Faraoni u zemërua me të dy oborrtarët e tij, me të parin e kupëmbajtësve e me të parin e bukëpjekësve. 3I futi në burg, në të njëjtin vend ku ishte i burgosur edhe Jozefi, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. 4Ky u caktoi Jozefin që t'u shërbente. Ata mbetën të burgosur për njëfarë kohe. 5Një natë kupëmbajtësi e bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të burgosur, panë nga një ëndërr dhe secila kishte kuptimin e vet. 6Kur Jozefi erdhi tek ata në mëngjes, pa se ishin të shqetësuar. 7Atëherë i pyeti oborrtarët e faraonit që ishin të burgosur bashkë me të: «Përse jeni kaq të mërzitur sot?». 8Ata thanë: «Pamë nga një ëndërr, por nuk ka kush të na i shpjegojë». Por Jozefi u tha: «A nuk e di Perëndia kuptimin e ëndrrave? M'i tregoni, pra, ëndrrat!».
9Atëherë i pari i kupëmbajtësve tregoi ëndrrën e vet: «Në ëndërr pashë një hardhi përpara meje. 10Hardhia kishte tri degë e posa filloi të bulojë, lulet çelën e vilet e rrushit u poqën. 11Në dorë kisha kupën e faraonit. I kapa vilet e rrushit, i shtrydha në kupë e ia dhashë faraonit në dorë». 12Jozefi i tha: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri degët janë tri ditë. 13Brenda tri ditësh faraoni do të të falë, do të të rikthejë në detyrën që kishe e ti do t'ia japësh kupën në dorë, ashtu siç bëje më parë kur ishe kupëmbajtësi i tij. 14Por kur të jesh i lirë më kujto e tregohu mirëdashës me mua. Më përmend para faraonit që të më nxjerrësh nga burgu, 15sepse me dhunë më rrëmbyen nga toka e hebrenjve. Edhe këtu nuk kam bërë asgjë që të meritoj burgun».
16Kur i pari i bukëpjekësve pa se shpjegimi i ëndrrës ishte i mirë, i tha Jozefit: «Edhe unë pashë një ëndërr. Mbi krye kisha tri shporta me bukë. 17Shporta e sipërme kishte gjithfarë ushqimesh të gatuara për faraonin, por po i hanin shpendët. Ato po hanin nga shporta që ishte mbi kokën time». 18Jozefi iu përgjigj: «Kuptimi i ëndrrës është ky: tri shportat janë tri ditë. 19Brenda tri ditësh faraoni do të ta presë kokën, do të të varë në pemë e shpendët do të të hanë trupin». 20Ditën e tretë ishte ditëlindja e faraonit. Ai shtroi një gosti për gjithë shërbëtorët e tij dhe nxori para tyre të parin e kupëmbajtësve e të parin e bukëpjekësve. 21Të parin e kupëmbajtësve e rikthehu në detyrë që t'i jepte kupën në dorë. 22Ndërsa bukëpjekësin e vari, ashtu siç ua kishte shpjeguar Jozefi. 23Mirëpo i pari i kupëmbajtësve nuk u kujtua për Jozefin. Ai e harroi atë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zanafilla 40: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë