Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 32:1-12

Zanafilla 32:1-12 AL1

Labani u ngrit herët në mëngjes, i puthi bijtë e bijat e tij, i bekoi e u kthye në vendin e vet. Edhe Jakobi shkoi udhës së vet. Përpara i dolën engjëjt e Perëndisë. Kur i pa, Jakobi tha: «Ky është fushimi i Perëndisë». Prandaj e quajti Mahanaim. Atëherë Jakobi dërgoi përpara vetes lajmëtarë te Esau, vëllai i tij, në tokën e Seirit, në krahinën e Edomit e i urdhëroi: «Kështu do t'i thoni timzot, Esaut: “Jakobi, shërbëtori yt, thotë: kam banuar me Labanin e aty kam qëndruar deri tani. Kam lopë e gomarë, dhen, shërbëtorë e shërbëtore. Po e lajmëroj timzot që të gjej hir para tij”». Por lajmëtarët u kthyen te Jakobi e i thanë: «Shkuam te vëllai yt, Esau. Ai po të del para me katërqind burra». Atëherë Jakobi u frikësua shumë e u shqetësua. I ndau në dy fushime njerëzit që ishin me të, dhentë, qetë e devetë, sepse mendoi: «Nëse vjen Esau e sulmon njërin fushim, fushimi që mbetet do të shpëtojë». Pastaj Jakobi tha: «O Perëndi i atit tim, Abrahamit, dhe Perëndi i atit tim, Isakut, o ZOT, ti që më the të kthehem në tokën time, te të afërmit e mi e që më the se do të më trajtoje mirë, unë nuk jam i denjë për gjithë mirësinë e besnikërinë që tregove ndaj shërbëtorit tënd, sepse këtë Jordan e kalova vetëm me një shkop e tani jam bërë me dy fushime. Më shpëto nga dora e vëllait tim, nga dora e Esaut, sepse kam frikë se kur të vijë, ai do të më vrasë bashkë me gra e fëmijë.