Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 31:1-21

Zanafilla 31:1-21 AL1

Jakobi dëgjoi që të bijtë e Labanit thoshin: «Jakobi mori gjithçka kishte ati ynë dhe gjithë këtë pasuri e përfitoi prej tij». Jakobi vuri re se Labani nuk e shihte si më parë. Atëherë ZOTI i tha Jakobit: «Kthehu në tokën e të parëve, te të afërmit e tu, e unë do të jem me ty». Kështu, Jakobi dërgoi njerëz dhe thirri Rakelën e Lean në fushën, ku po kullotnin kopetë e tij, e u tha: «Kam vënë re se ati juaj nuk më sheh si më parë, por Perëndia i atit tim ka qenë me mua. Ju vetë e dini se i kam shërbyer atit tuaj me gjithë forcën time. Por ai më mashtroi e ma ndërroi pagën dhjetë herë. Megjithatë, Perëndia nuk e lejoi të më bëjë keq. Kur thoshte: “Pikaloshet do të jenë paga jote”, atëherë e gjithë kopeja pillte bagëti pikaloshe. Dhe kur thoshte: “Laramanet do të jenë paga jote”, atëherë e gjithë kopeja pillte bagëti laramane. Kështu, Perëndia ia mori bagëtitë atit tuaj e m'i dha mua. Në kohën kur mbarseshin bagëtitë, pashë një ëndërr ku cjeptë që po ndërzeheshin ishin laramanë, pikaloshë e me pulla. Dhe në ëndërr, engjëlli i Perëndisë më tha: “Jakob!”. E unë thashë: “Ja ku jam!”. Ai tha: “Kam parë gjithçka që të ka bërë Labani, prandaj ngriji sytë e shiko tërë cjeptë që po ndërzehen. Ata janë laramanë, pikaloshë e me pulla. Unë jam Perëndia që t'u shfaq në Betel, aty ku ti vajose një përmendore e m'u betove. Tani, ngrihu e dil nga ky vend e kthehu në vendlindjen tënde”». Atëherë Rakela e Lea iu përgjigjën: «As ne nuk kemi më pjesë e trashëgimi në shtëpinë e atit tonë. A nuk na ka trajtuar si të ishim të huaja? Na shiti e na i hëngri tërë paratë. Gjithë pasuria që Perëndia ia mori atit tonë, është e jona dhe e bijve tanë. Prandaj, bëj siç të tha Perëndia». Kështu, Jakobi u ngrit e i vuri bijtë e gratë mbi deve. Mori bagëtinë e tërë pasurinë që kishte fituar në Padan Aram e u nis për në Kanaan, tek Isaku, ati i tij. Ndërsa Labani kishte shkuar për të qethur dhentë, Rakela vodhi idhujt e të atit. Jakobi e mashtroi Laban Arameasin, sepse nuk i tregoi se do të largohej. Kështu, Jakobi u largua me gjithçka kishte. Ai u ngrit, kaloi lumin Eufrat e u drejtua kah mali i Gileadit.