Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 30:25-43

Zanafilla 30:25-43 AL1

Kur Rakela lindi Jozefin, Jakobi i tha Labanit: «Më lër të shkoj në vendin tim e në tokën time. M'i jep gratë e bijtë e mi, për të cilët të shërbeva, që të shkoj. Ti e di sa të kam shërbyer». Labani iu përgjigj: «Nëse kam gjetur hir para teje, qëndro me mua, sepse kam parë se, falë teje, ZOTI më ka bekuar. Më thuaj sa e do pagën dhe unë do të ta jap». Por Jakobi i tha: «Ti e di sa të kam shërbyer e sa shumë t'u shtuan bagëtitë nën kujdesin tim. Në çdo gjë që bëra ZOTI të bekoi. Edhe ato pak që kishe para se të vija unë, u shtuan e u shumuan. A nuk ka ardhur koha të punoj edhe për shtëpinë time?». Labani i tha: «Çfarë do që të të jap?». Jakobi i tha: «Nuk dua asgjë, veç bëj si të them. Më lër t'i kullot e t'i ruaj përsëri bagëtitë e tua, të shkoj sot mes tyre e të ndaj mënjanë çdo dele e dhi laramane ose pikaloshe e çdo qengj të zi. Ky do të jetë shpërblimi im. Drejtësia ime do të duket nesër kur të vish për të parë shpërblimin tim. Çdo dhi që nuk është laramane ose pikaloshe e çdo qengj që nuk është i zi, do të quhet i vjedhur». Labani tha: «Le të bëhet siç the ti». Atë ditë Labani ndau mënjanë cjeptë e dhitë laramane e pikaloshe, çdo kafshë me njollë të bardhë, tërë qengjat e zinj e ua dha të bijve. Ai u largua tre ditë rrugë larg Jakobit. Jakobi kulloste pjesën tjetër të bagëtive të Labanit. Atëherë Jakobi mori thupra të njoma plepi, bajameje e rrapi dhe ua qëroi lëvoren vende-vende që t'u dukej e bardha e kërcellit. Pastaj i vendosi në koritë, në rrjedhat e ujit, që të ishin përballë bagëtive kur vinin për të pirë, sepse ato mbarseshin kur vinin për të pirë. Bagëtitë u mbarsën përballë thuprave e pollën keca laramanë e pikaloshë. Jakobi i ndau edhe delet e i vuri përballë bagëtive të Labanit që ishin laramane e të zeza. E kështu, ai bëri bagëtitë e veta dhe nuk i bashkoi me ato të Labanit. Sa herë që bagëtitë e shëndosha mbarseshin, ai i vinte thuprat në koritë para tyre, që të mbarseshin pranë thuprave. Por, kur bagëtitë ishin të dobëta, ai nuk i vinte thuprat. Kështu, Labanit i mbetën të dobëtat, ndërsa Jakobit të shëndoshat. Jakobi u pasurua tej mase e pati shumë bagëti, shërbëtorë, shërbëtore, deve e gomarë.