Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve. Pastaj dëgjuan zërin e ZOTIT Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e ZOTIT Perëndi mes pemëve të kopshtit. ZOTI Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?». Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha». Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?». Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra». ZOTI Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra». ZOTI Perëndi i tha gjarprit: «Për këtë që bëre, mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra. Mbi bark do të zvarritesh e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde. Armiqësi do të shtie mes teje e gruas, mes farës tënde e farës së saj që do të ta shtypë kokën, ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën». Gruas i tha: «Shumë dhimbje barre do të të jap e me mundim do t'i lindësh fëmijët. Burrin tënd do ta dëshirosh, por ai do të sundojë mbi ty». Adamit i tha: «Meqë dëgjove gruan e hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash, mallkuar qoftë toka për shkakun tënd! Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate. Gjemba e ferra do të prodhojë për ty e bimët e fushës do të hash. Me djersën e ballit do ta nxjerrësh bukën e gojës derisa të kthehesh në dhe, se prej tij u nxore, pluhur je e në pluhur do të kthehesh». Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve. ZOTI Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata.
Lexo Zanafilla 3
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zanafilla 3:7-21
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video