Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 24:28-51

Zanafilla 24:28-51 AL1

Vajza vrapoi e ua tregoi njerëzve të shtëpisë të gjitha këto. Rebeka kishte një vëlla që quhej Laban. Ai doli jashtë me vrap drejt njeriut që ishte te pusi. Kur e pa unazën e hundës e stolitë në duart e së motrës dhe dëgjoi fjalët e Rebekës, të motrës, që thoshte: «Kështu më tha ai njeri», vrapoi drejt njeriut dhe, ja, ai po qëndronte me devetë te pusi. Atëherë i tha: «Eja, o i bekuari i ZOTIT! Përse rri jashtë? Unë e kam bërë gati shtëpinë dhe vendin për devetë». Kështu, ai hyri brenda dhe shkarkoi devetë. I sollën kashtë, tagji e ujë për të larë këmbët ai dhe njerëzit që ishin me të. Pastaj i shtruan për të ngrënë, por ai tha: «Nuk do të ha para se të them ç'kam për të thënë». Labani iu përgjigj: «Urdhëro e fol!». Ai tha: «Unë jam shërbëtori i Abrahamit. ZOTI e ka bekuar shumë timzot dhe ai është i pasur. I ka dhënë dele e qe, ar e argjend, shërbëtorë e shërbëtore, deve e gomarë. Sara, gruaja e timzoti, i lindi një djalë në pleqëri. Atij ia ka lënë gjithë pasurinë. Imzot më bëri të betohem: “Birit tim nuk do t'i marrësh grua prej bijave të Kanaanit, në tokën e të cilëve banoj unë. Por do të shkosh në shtëpinë e tim eti e do të marrësh një grua nga fisi im për tim bir”. Unë i thashë timzot: “Po sikur ajo të mos vijë me mua”. Ai më tha: “ZOTI, të cilin unë ndjek, do të dërgojë engjëllin e tij me ty, do të ta bëjë mbarë udhëtimin e do të marrësh një grua për birin tim nga fisi im e nga familja e tim eti. Por, nëse shkon te fisi im dhe ata nuk ta japin vajzën, atëherë do të jesh i zgjidhur nga ky betim”. Sot erdha te burimi e thashë: “O ZOT, Perëndia i timzot Abrahamit. Ma bëj mbarë udhëtimin që kam nisur. Ja, unë po rri te pusi. Vajza që do të dalë për të mbushur ujë, së cilës do t'i them: ‘Më jep pak ujë nga shtamba jote’, e që do të më thotë: ‘Pi ti dhe devetë e tua’, ajo do të jetë gruaja që ZOTI ka caktuar për birin e timzot”. Ende pa mbaruar së foluri me vete, doli Rebeka me shtambën e saj mbi sup. Zbriti te pusi e mbushi ujë. Atëherë unë i thashë: “Më jep të pi”! Menjëherë ajo uli shtambën dhe tha: “Pi. Po u jap për të pirë edhe deveve të tua”. Kështu piva unë dhe ajo u dha edhe deveve për të pirë. Pastaj e pyeta: “Bija e kujt je?”. Ajo m'u përgjigj: “Bija e Betuelit, të birit të Nahorit, që ia lindi Milka”. I vura unazën në hundë dhe stolitë në duar. U përkula dhe adhurova ZOTIN, duke e bekuar ZOTIN, Perëndinë e timzot Abrahamit, i cili më priu në udhën e duhur për të marrë vajzën e vëllait të timzot për të birin. Tani, pra, nëse doni të tregoheni mirëdashës e besnikë ndaj timzot, më thoni. Nëse jo, më thoni, që të shkoj diku gjetkë». Atëherë Labani e Betueli u përgjigjën: «Kështu e paska thënë ZOTI. Ne nuk kemi çfarë të themi. Ja ku e ke Rebekën, para teje. Merre e shko dhe, ashtu siç ka thënë ZOTI, le të bëhet gruaja e birit të tëtzot».