Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 24:1-28

Zanafilla 24:1-28 AL1

Abrahami ishte plak, i thyer në moshë dhe ZOTI e kishte bekuar në çdo gjë. Atëherë Abrahami i tha shërbëtorit më të vjetër të shtëpisë së tij, atij që kujdesej për gjithçka që kishte: «Vëre dorën tënde nën kofshën time. M'u beto për ZOTIN, Perëndinë e qiellit e të tokës, se nuk do t'i gjesh grua birit tim prej bijave të Kanaanit, mes të cilëve banoj. Por, do të shkosh në vendin tim dhe te të afërmit e mi. Atje do të marrësh një grua për birin tim, Isakun». Shërbëtori i tha: «Po sikur ajo të mos dojë të vijë me mua në këtë vend? A do të më duhet ta kthej birin tënd në vendin nga u largove ti?». Abrahami iu përgjigj: «Ruhu se ma çon tim bir atje! ZOTI, Perëndia i qiellit, ai që më nxori prej shtëpisë së atit tim e prej vendit të të afërmve të mi, ai që më tha e m'u betua: “Pasardhësve të tu do t'ua jap këtë tokë”, ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje e ti do të marrësh prej andej një grua për birin tim. Nëse ajo nuk do të dojë të vijë me ty, ti je i zgjidhur nga ky betim. Vetëm tim bir mos ma kthe atje». Atëherë shërbëtori vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotërisë së tij, dhe iu betua për këtë gjë. Shërbëtori mori me vete dhjetë deve nga devetë e zotërisë së tij dhe, bashkë me tërë të mirat e zotërisë së tij, u nis e shkoi në Aram Naharaim, në qytetin e Nahorit. Në mbrëmje, kur vajzat dilnin për të mbushur ujë, ai i uli devetë jashtë qytetit, pranë pusit, e tha: «O ZOT, Perëndia i timzot Abrahamit, ma bëj mbarë sot e tregohu mirëdashës me timzot Abrahamin. Ja, unë po qëndroj pranë pusit dhe vajzat e banorëve të qytetit po dalin për të mbushur ujë. Vajza së cilës do t'i them: “Të lutem, ule shtambën që të pi” e ajo të më përgjigjet: “Pi ti e po u jap për të pirë edhe deveve”, ajo të jetë vajza që ke caktuar për shërbëtorin tënd, Isakun. Kështu do ta di që je treguar mirëdashës me timzot». Ai s'kishte mbaruar së foluri, kur, ja, Rebeka doli me shtambë mbi supe. Ajo ishte vajza e Betuelit, birit të Milkës, gruas së Nahorit, vëllait të Abrahamit. Vajza ishte shumë e bukur dhe e virgjër. Asnjë burrë nuk e kishte prekur. Ajo zbriti te pusi, mbushi shtambën dhe u ngjit. Shërbëtori vrapoi ta takonte e i tha: «Më jep të pi pak ujë nga shtamba jote». Ajo iu përgjigj: «Pi imzot!». Menjëhere e uli shtambën e i dha për të pirë. Pasi i dha ujë i tha: «Po u jap ujë edhe deveve të tua derisa të ngopen». E zbrazi shtambën shpejt në koritë e vrapoi te pusi për të nxjerrë ujë për të gjitha devetë e tij. Ai e vështronte në heshtje për të parë nëse ZOTI ia kishte sjellë mbarë, apo jo. Pasi devetë mbaruan së piri, ai mori një unazë të artë për hundën, që peshonte gjashtë gramë dhe dy stoli të arta për duart që peshonin njëqind gramë. E i tha: «Më trego, bija e kujt je? A ka vend për ne në shtëpinë e atit tënd që të kalojmë natën?». Ajo i tha: «Jam e bija e Betuelit, birit të Milkës, që ajo ia lindi Nahorit». Pastaj shtoi: «Te ne ka mjaft kashtë e tagji, si edhe dhoma për të kaluar natën». Atëherë ai u përkul, adhuroi ZOTIN, e tha: «Bekuar qoftë ZOTI, Perëndia i timzot Abrahamit, që nuk e kurseu mirësinë dhe besnikërinë ndaj timzot, e që më priu drejt shtëpisë së vëllait të timzot». Vajza vrapoi e ua tregoi njerëzve të shtëpisë të gjitha këto.