Sara jetoi njëqind e njëzet e shtatë vjet. Ajo vdiq në Kirjat Arba që është në Hebron, në tokën e Kanaanit. Atëherë Abrahami erdhi për të mbajtur zi e për ta vajtuar. Pastaj u ngrit në prani të së ndjerës e u tha bijve të Hetit: «Mes jush jam i huaj e shtegtar. Më jepni për pronë një varr mes jush që ta varros të ndjerën ashtu siç duhet». Bijtë e Hetit iu përgjigjën: «Dëgjo, imzot! Mes nesh, ti je një princ i fuqishëm. Varrose të ndjerën në varrin tonë më të mirë. Asnjëri prej nesh nuk do ta kursejë varrin e tij që ti të varrosësh të ndjerën tënde». Atëherë Abrahami u ngrit e u përkul me nderim para popullit të atij vendi, para bijve të Hetit, e u tha: «Nëse dëshironi që ta varros të ndjerën ashtu siç duhet, ma dëgjoni fjalën e ndërhyni për mua para Efronit, birit të Coharit, që të ma japë për varr shpellën e Makpelës, që është e tija e që ndodhet në fund të arës së tij, dhe të ma shesë në praninë tuaj me çmimin e plotë».
Efroni, hititi, ishte ulur mes bijve të Hetit. Atëherë ai iu përgjigj Abrahamit në prani të bijve të Hetit, para të gjithë atyre që hynin në portën e qytetit: «Jo, imzot, më dëgjo! Arën po ta jap bashkë me shpellën që është në të. Po ta jap para bijve të popullit tim. Aty varrose të ndjerën tënde». Abrahami u përkul me nderim para popullit, e në prani të vendasve i tha Efronit: «Nëse më dëgjon, unë do ta paguaj çmimin e arës. Merre prej meje, që të varros atje të ndjerën time». Efroni iu përgjigj: «Imzot, më dëgjo! Katërqind sikla argjendi për një copë tokë nuk janë asgjë as për mua, as për ty. Shko e varrose të ndjerën tënde». Atëherë Abrahami e dëgjoi Efronin dhe ia peshoi argjendin, që i kërkoi, në prani të bijve të Hetit, katërqind sikla argjendi sipas peshës së tregut.
Kështu ara e Efronit në Makpelë, që ndodhej përballë Mamreut, ara dhe shpella që është në të, tërë pemët brenda kufijve të arës, u bënë pronë e Abrahamit në prani të bijve të Hetit, para të gjithë atyre që hynin në portën e qytetit. Pastaj Abrahami e varrosi Sarën, gruan e tij, në shpellën e arës së Makpelës, përballë Mamreut, që është në Hebron, në vendin e Kanaanit. Kështu, ara bashkë me shpellën iu dhanë Abrahamit nga bijtë e Hetit për pronë varri.