Pas këtyre ngjarjeve Perëndia e vuri në provë Abrahamin e i tha: «Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam». Ai i tha: «Merre me vete tët bir, Isakun, birin tënd të vetëm, që ti e do, e shko në tokën e Moriahut. Atje kushtoje si fli shkrumbimi në një nga malet që do të të tregoj». Abrahami u ngrit herët në mëngjes, shaloi gomarin e mori me vete dy shërbëtorë dhe Isakun, birin e tij. Pasi preu dru për flinë e shkrumbimit, u ngrit e shkoi drejt vendit që i tregoi Perëndia. Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë e pa vendin nga larg. Atëherë Abrahami u tha shërbëtorëve: «Prisni këtu bashkë me gomarin, ndërsa unë e djali do të ngjitemi atje, do të adhurojmë e pastaj do të kthehemi te ju». Abrahami mori drutë për flinë e shkrumbimit e ia ngarkoi Isakut, të birit, ndërsa vetë mbante në dorë zjarrin e thikën. Kështu u nisën të dy bashkë. Isaku i tha Abrahamit, të atit: «O atë!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, biri im». Isaku tha: «Zjarrin e drutë ja ku i kemi. Po qengji për flinë ku është?». Abrahami iu përgjigj: «Vetë Perëndia do të këqyrë për qengjin e flisë së shkrumbimit, biri im». E kështu shkuan të dy bashkë. Kur arritën te vendi që Perëndia i kishte treguar, Abrahami ngriti një altar dhe i vendosi drutë mbi të. E lidhi Isakun, të birin, dhe e vuri mbi altar, mbi turrën e druve. Pastaj zgjati dorën e mori thikën që të therte të birin. Por engjëlli i ZOTIT i thirri nga qielli e i tha: «Abraham, Abraham!». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam!». Ai i tha: «Mos ngri dorë kundër djalit e mos i bëj gjë, se tani e di që i druhesh Perëndisë e nuk e kurseve për mua as birin tënd të vetëm».
Lexo Zanafilla 22
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zanafilla 22:1-12
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video