Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 2:8-25

Zanafilla 2:8-25 AL1

ZOTI Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe aty vuri njeriun që kishte formuar. ZOTI Perëndi bëri të mbijnë nga toka pemë tërheqëse nga pamja e të mira nga shija. Në mes të kopshtit vuri pemën e jetës dhe pemën e njohjes të së mirës e të së keqes. Një lumë që buronte nga Edeni, ujiste kopshtin e prej andej ndahej në katër lumenj. I pari quhet Pishon e rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka ar. Ari i këtij vendi është i mirë. Aty ka edhe bdel e gur oniksi. I dyti quhet Gihon e rrethon tërë vendin e Kushit. I treti quhet Tigër e rrjedh në lindje të Asirisë. I katërti quhet Eufrat. ZOTI Perëndi e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e ta ruante. ZOTI Perëndi e urdhëroi njeriun e i tha: «Nga çdo pemë e kopshtit ha lirisht, por nga pema e njohjes të së mirës e të së keqes mos ha, sepse ditën që ha prej saj, me të vërtetë do të vdesësh». Pastaj ZOTI Perëndi tha: «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm. Do t'i bëj dikë përkrah si veten e tij». Dhe ZOTI Perëndi formoi nga dheu të gjitha kafshët e tokës e të gjithë shpendët e qiellit. I solli para njeriut, për të parë sesi do t'i quante. Çfarëdo emri që njeriu do t'u vinte, ai do të ishte emri i tyre. Kështu njeriu i vuri emër çdo bagëtie, çdo shpendi të qiellit e çdo kafshe të egër. Megjithatë, Adamit nuk iu gjet askush përkrah si vetja e vet. Atëherë ZOTI Perëndi e vuri njeriun në gjumë të thellë. Kur e zuri gjumi, i mori një brinjë e në vend të saj i vuri mish. Me brinjën që mori nga njeriu ZOTI Perëndi bëri gruan dhe e solli te njeriu. Atëherë njeriu tha: «Kjo tani, është kockë prej kockave të mia, mish prej mishit tim. Do të quhet grua, se nga burri ajo u nxor». Prandaj burri do të lërë të atin e të ëmën, do të bashkohet me gruan e vet e do të bëhen një mish. Njeriu me gruan e tij ishin që të dy lakuriq, por nuk kishin turp.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Zanafilla 2:8-25

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë