Burrat i thanë Lotit: «Kush tjetër është me ty? Ke dhëndër, bij e bija? Këdo që ke në këtë qytet nxirre jashtë prej këtij vendi. Ne do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse e madhe është gjëma e tyre para ZOTIT dhe ai na ka dërguar që ta shkatërrojmë». Loti doli jashtë e u foli dhëndurëve që ishin martuar me bijat e tij: «Ngrihuni e largohuni nga ky vend, se ZOTI do ta shkatërrojë qytetin». Por dhëndurëve iu duk se ai po tallej. Në të gdhirë, engjëjt e nxisnin Lotin duke i thënë: «Ngrihu e merr me vete gruan tënde dhe të dy bijat që gjenden këtu. Përndryshe, kur qyteti të ndëshkohet, do të zhdukesh edhe ti». Por ai po vonohej. Atëherë, meqë ZOTI pati mëshirë për të, burrat e morën për dore atë, gruan e tij e bijat e tij dhe i nxorën e i lanë jashtë qytetit. Pasi i nxorën jashtë, njëri prej tyre i tha: «Ik, shpëto veten! Mos shiko mbrapa e mos u ndal askund në luginë. Ik në mal, përndryshe do të zhdukesh!». Loti u tha: «Mos, o Zot! Ja, shërbëtori yt gjeti hir para teje e ti u tregove shumë mirëdashës me atë që bëre duke më shpëtuar. Por unë nuk do të largohem dot në mal pa më zënë fatkeqësia e kam për të vdekur. Ja një qytet ku mund të strehohem. Është afër dhe i vogël. Më lër të shkoj te ky qytet i vogël që të shpëtoj». Ai i tha: «Ja, po ta plotësoj edhe këtë kërkesë. Nuk do ta shkatërroj qytetin për të cilin fole. Shpejto, ik atje, se nuk do të bëj asgjë derisa të arrish». Prandaj qyteti u quajt Coar. Dielli po ngrihej mbi tokë kur Loti hyri në Coar. Atëherë ZOTI lëshoi nga qielli sulfur e zjarr mbi Sodomën e Gomorrën. Ai i shkatërroi ato qytete dhe gjithë luginën bashkë me tërë banorët e qyteteve e bimësinë e tokës.
Lexo Zanafilla 19
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zanafilla 19:12-25
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video