Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 13:1-13

Zanafilla 13:1-13 AL1

Abrami shkoi nga Egjipti në Negev bashkë me të shoqen e me gjithçka kishte. Me të shkoi edhe Loti. Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend e ar. Ai vazhdoi udhëtimin nga Negevi deri në Betel, deri në vendin ku kishte ngritur më parë tendën, mes Betelit e Ajit, aty ku në fillim kishte ngritur një altar. Atje Abrami thirri emrin e ZOTIT. Edhe Loti, që udhëtonte me Abramin, kishte dhen, qe e tenda. Nuk kishte vend për të dy, se pasuria e tyre ishte aq e madhe, saqë nuk mund të jetonin bashkë. Kështu, filloi një grindje mes barinjve të bagëtive të Abramit e barinjve të bagëtive të Lotit. Në atë kohë, në atë vend jetonin kananitët e perizitët. Atëherë Abrami i tha Lotit: «Të mos ketë grindje mes nesh, mes barinjve të mi e barinjve të tu, se jemi vëllezër. A nuk është e gjithë toka përpara teje? Le të ndahemi. Nëse shkon në të majtë, unë do të marr në të djathtë. E nëse shkon në të djathtë, unë do të marr në të majtë». Loti ngriti sytë e pa se gjithë lugina e Jordanit deri në Coar ujitej si kopshti i ZOTIT, si toka e Egjiptit, përpara se ZOTI të shkatërronte Sodomën e Gomorrën. Loti zgjodhi për vete gjithë luginën e Jordanit e udhëtoi drejt lindjes. Kështu, u ndanë nga njëri-tjetri. Abrami banoi në tokën e Kanaanit, ndërsa Loti banoi në qytetet e luginës dhe ngriti tendat pranë Sodomës. Mirëpo njerëzit e Sodomës ishin shumë të ligj e mëkatarë para ZOTIT.