Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezra 4

4
Kundërshtime ndaj ndërtimit
1Kur armiqtë e Judës e të Benjaminit morën vesh se bijtë e të mërguarve po ndërtonin tempullin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, 2shkuan te Zorobabeli dhe te krerët e familjeve e u thanë: «Na lejoni të ndërtojmë bashkë me ju, sepse edhe ne e kërkojmë Perëndinë tuaj ashtu si ju dhe i kemi kushtuar fli që kur Esarhadoni, mbreti i Asirisë, na shpërnguli këtu». 3Por Zorobabeli, Jozuehu dhe krerët e tjerë të vëllazërive të Izraelit u thanë: «Nuk na takon ta ndërtojmë bashkë tempullin e Perëndisë tonë. Do ta ndërtojmë vetë tempullin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, sipas urdhrit të Kirit, mbretit të Persisë». 4Atëherë populli i vendit filloi ta shkurajonte popullin e Judës dhe ta kërcënonte, që të mos ndërtonin. 5Madje paguan edhe disa këshilltarë kundër tyre, që synimet e tyre të dështonin. Kështu ngjau gjatë gjithë mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Darit, mbretit të Persisë.
6Në kohën e mbretërimit të Kserksit#4.6 he. Ahashverushit, në fillim të mbretërimit të tij, ata shkruan një padi kundër banorëve të Judës e të Jerusalemit. 7Në kohën e Artakserksit#4.7 he. Artahshastaut, Bishlami, Mitredati, Tabeli dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tyre i shkruan Artakserksit, mbretit të Persisë. Letra ishte e shkruar në aramaisht e me shkronja aramaike.
8Edhe Rehumi, qeveritari, bashkë me Shimshain, shkruesin, i shkruan këtë letër mbretit Artakserks për Jerusalemin: 9«Qeveritari Rehum, shkruesi Shimsha dhe bashkëpunëtorët e tyre, gjyqtarët, zyrtarët, nëpunësit, persët, erekitët, babilonasit, shushankitët, domethënë elamitët, 10si edhe popujt e tjerë, që i madhi e i lavdishmi Osnapar i shpërnguli e i vendosi në qytetet e Samarisë dhe në krahinat e tjera përtej Eufratit, 11ne shërbëtorët e tu, banorët e krahinës përtej lumit», shkruhej në letrën që i dërguan, «i drejtohemi mbretit Artakserks. 12Dëshirojmë t'i bëjmë me dije mbretit se judenjtë, që u nisën prej tij te ne, kanë mbërritur në Jerusalem dhe po e rindërtojnë këtë qytet kryengritës e të mbrapshtë. Kanë ndrequr themelet e po meremetojnë muret. 13Le ta dijë, pra, mbreti, se, nëse ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundojnë, ata nuk kanë për t'i paguar as tatime e as tagra dhe kjo do të jetë në dëm të thesarit të mbretit. 14Meqenëse ne hamë kripën e pallatit mbretëror dhe nuk na duket e ndershme të shohim poshtërimin e mbretit, po i dërgojmë këto lajme mbretit, 15që të kërkojë nëpër shkresat e etërve të tij. Në ato shkresa do të gjejë dhe do ta kuptojë se ky qytet është qytet kryengritës, i dëmshëm për mbretërit dhe për krahinat dhe se aty nxiten kryengritje që në kohët e lashta. Për këtë arsye u shkatërrua qyteti. 16I bëjmë me dije mbretit se nëse ky qytet rindërtohet e nëse muret e tij ringrihen, nuk do të ketë më zotërime në krahinën përtej lumit».
17Mbreti dërgoi këtë përgjigje: «Rehumit, qeveritarit, Shimshait, shkruesit, dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre, që banojnë në Samari dhe në pjesën tjetër të krahinës përtej lumit: Paqe! Tani, 18letra që na dërguat u lexua me kujdes para meje. 19Dhashë urdhër ta shqyrtojnë çështjen dhe u pa se ky qytet ka ngritur krye kundër mbretërve që në kohët e lashta dhe se në të ka pasur gjithnjë kryengritje e kundërshti. 20Në Jerusalem ka pasur mbretër të fuqishëm që kanë sunduar mbi gjithë krahinën përtej lumit dhe të cilëve u paguheshin detyrime, tagra e tatime. 21Prandaj, jepuni urdhër këtyre njerëzve të ndërpresin punimet dhe ky qytet të mos rindërtohet pa dhënë urdhër unë. 22Bëni kujdes të mos e lini pas dore këtë çështje, që të mos shtohet dëmi në kurriz të mbretërve».
23Sapo kopja e letrës së mbretit Artakserks u lexua para Rehumit, Shimshait, shkruesit, dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ata shkuan me nxitim në Jerusalem te judenjtë dhe i detyruan me forcën e armëve të ndërpritnin punimet. 24Kështu, puna për ndërtimin e tempullit të Perëndisë në Jerusalem u ndërpre dhe nuk u krye asnjë punim deri në vitin e dytë të mbretërimit të Darit, mbretit të Persisë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezra 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr