Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezra 10:1-15

Ezra 10:1-15 AL1

E teksa Ezra po lutej e po pohonte fajin me lot, i përgjunjur para tempullit të Perëndisë, u mblodh rreth tij një turmë e madhe izraelitësh, burra, gra e fëmijë, dhe mbarë populli qante me ngashërim. Atëherë foli Shekanjahu, biri i Jehielit, nga bijtë e Elamit, e i tha Ezrës: «Jemi treguar të pabesë ndaj Perëndisë tonë dhe jemi martuar me gra të huaja nga popujt vendas. Por, ka ende shpresë për Izraelin. Prandaj, le të bëjmë një besëlidhje me Perëndinë tonë e le t'i dëbojmë të gjitha gratë e huaja, bashkë me ata që kanë lindur prej tyre, sipas këshillës së Zotit dhe sipas urdhërimit të Perëndisë tonë. Le të veprohet sipas ligjit. Ngrihu, pra, sepse kjo është punë për ty. Ne jemi me ty. Bëhu i fortë e vepro!». Ezra u ngrit dhe i bëri krerët e priftërinjve, të levitëve dhe të mbarë Izraelit të betoheshin se do të vepronin siç u tha. Ata u betuan. Mandej Ezra u largua nga tempulli i Perëndisë, shkoi në shtëpinë e Jehohananit, birit të Eliashibit, dhe bujti aty. Nuk hëngri bukë e nuk piu ujë, sepse mbante zi për mëkatin e të kthyerve nga robëria. Atëherë doli një shpallje në Judë e në Jerusalem se të gjithë të kthyerit nga robëria duhej të mblidheshin në Jerusalem. Kush nuk do të vinte brenda tri ditësh në Jerusalem, sipas vendimit të krerëve dhe të pleqësisë, do t'i merrej gjithë pasuria e do të përjashtohej prej bashkësisë së të kthyerve nga robëria. Të gjithë burrat e Judës e të Benjaminit u mblodhën brenda tri ditëve në Jerusalem. Ishte dita e njëzetë e muajit të nëntë. Mbarë populli u ul në sheshin e tempullit të Perëndisë, duke u dridhur për shkak të kësaj ngjarjeje dhe prej shiut të fortë. Atëherë prifti Ezra u ngrit e u tha: «Ju keni kryer tradhti, kur jeni martuar me gra të huaja, dhe kështu e keni shtuar fajin e Izraelit. Prandaj, përlëvdoni ZOTIN, Perëndinë e etërve tuaj dhe veproni sipas vullnetit të tij. Ndahuni nga populli i vendit dhe nga gratë e huaja». Mbarë bashkësia u përgjigj e tha me zë të lartë: «Po, do të bëjmë siç thua ti. Por, ka shumë popull, shiu nuk po ndalet e nuk mund të rrimë jashtë. Për më tepër, kjo punë nuk bëhet për një apo dy ditë, sepse jemi shumë që kemi gabuar në këtë pikë. Le të qëndrojnë këtu krerët tani e të përfaqësojnë gjithë bashkësinë. Mandej, të gjithë ata që janë martuar me gra të huaja nëpër qytetet tona, të vijnë në një kohë të caktuar me pleqtë dhe me gjyqtarët e qytetit, derisa të largohet prej nesh zemërimi i Perëndisë tonë për shkak të kësaj çështjeje». Vetëm Jonatani, biri i Asahelit, dhe Jahzejahu, biri i Tikvahut, e kundërshtuan këtë gjë, të përkrahur nga Meshulami dhe leviti Shabeta.